Bashkimi Europian po kërkon raketa Patriot të disponueshme për të ndihmuar Ukrainën, ndërsa Kievi po shtrëngohet nga Rusia.
Nevoja është kryesisht për interceptorët Patriot PAC-3 dhe PAC-2, të cilët janë një nga mbrojtjet e pakta efektive kundër raketave balistike të shpejta ruse.
Ukraina po kërkon qindra raketa, por prodhimi i shtuar nuk mund të përmbushë nevojat e menjëhershme. Në të njëjtën kohë, konflikti ushtarak me Iranin ka tendosur më tej rezervat amerikane dhe me afrimin e dimrit, situata është mbytëse për Kievin.
Rezervat e Europës po pakësohen
Gjermania tashmë i ka dërguar raketa Patriot dhe raketa Ukrainës, por tani përballet me një dilemë të vështirë: nëse do të përmbushë nevojat në rritje të Kievit, apo do të mbajë rezervat minimale të nevojshme për të mbrojtur veten dhe për të përmbushur detyrimet e saj në NATO.
Vende të tjera europiane po përballen me shqetësime të ngjashme. Për shembull, Polonia thuhet se ka dorëzuar disa raketa PAC-3, por edhe kjo lëvizje e kufizuar ka shkaktuar reagime politike në vend, me frikën se mbrojtja e saj ajrore po dobësohet.
Problemi është edhe më akut në vendet e Europës Veriore dhe Lindore, të cilat e shohin mbrojtjen e tyre si të pamjaftueshme për t’u përballur me një sulm të mundshëm rus në të ardhmen. Presioni po zhvendoset gjithnjë e më shumë në vendet e Europës Jugore si Spanja dhe Greqia.
Greqia në qendër të presionit
Athina është tani një nga vendet që po merret në konsideratë për një kontribut të mundshëm në raketat Patriot. Greqia ende nuk ka njoftuar dorëzime Patriot në Ukrainë, ndërsa në korrik Kievi i kërkoi Athinës deri në 200 raketa të vjetra PAC-2.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme për Athinën, pasi Greqia mban nevoja të konsiderueshme operacionale në Egje dhe Mesdheun Lindor dhe e sheh Turqinë si një shqetësim kyç për sigurinë, pavarësisht faktit se të dy vendet janë anëtare të NATO-s, thekson Politico mbi këtë temë.
Varësia nga Shtetet e Bashkuara
Situata është e ndërlikuar nga varësia e fortë e Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara. Shumica e raketave PAC-3 prodhohen në Shtetet e Bashkuara, gjë që e bën Uashingtonin një faktor kritik si në shitje ashtu edhe në rritjen e prodhimit.
Donald Trump kishte lënë të kuptohej se Ukraina në të ardhmen mund të prodhonte raketa Patriot të dizajnuara nga amerikanët me liçencë, por më vonë tha se nuk ishte arritur një marrëveshje e tillë. Në të njëjtën kohë, nevojat amerikane janë rritur ndjeshëm, ndërsa Uashingtoni përpiqet të rimbushë rezervat e veta pas konfliktit ushtarak me Iranin.
Një marrëveshje për prodhimin e raketave PAC-2 në Gjermani është nënshkruar tashmë nga Ukraina, por interceptorët e rinj nuk pritet të mbërrijnë deri vitin e ardhshëm, në rastin më të mirë.
Por koha po ikën me shpejtësi për Kievin dhe qeveria, nga ana tjetër, po ushtron presion mbi BE-në që t’i japë asaj çdo raketë Patriot të disponueshme, ndërsa në të njëjtën kohë po shqyrton operacione më agresive kundër lëshuesve rusë.
Në një kohë kur BE deklaron se dëshiron të rrisë ndjeshëm shpenzimet e saj për mbrojtjen, ajo po përballet me një dilemë të madhe përballë një dimri të vështirë – siç pritet – për Ukrainën.
Dhe në fund të së gjithës kuptojmë edhe për një herë tjetër vartësinë e Europës nga Amerika dhe supremacinë e saj në të gjithë sektorët dhe veçanërisht në atë të mbrojtjes.
Source: Politico


