Sondazhet e fundit e vendosin AfD-në në mbi 40% dhe CDU-në në 23%. Pjesëmarrja e votuesve në mesditë është më e lartë se zgjedhjet e mëparshme të vitit 2021.
Rezultatet fillestare priten rreth orës 6 pasdite të së dielës, pas mbylljes së qendrave të votimit.
Vota shihet si provë për qeverinë federale të Kancelarit Friedrich Merz.
Votimi filloi në shtetin lindor gjerman të Saksonisë-Anhalt të dielën në një proçes zgjedhor që ndiqet nag afër prej të gjithëve dhe ku mund të shohin Alternativën për Gjermaninë (AfD) të bëhet partia e parë e ekstremit të djathtë që udhëheq një qeveri landi që nga Lufta e Dytë Botërore.
Me kandidatin e saj kryesor 35-vjeçarin Ulrich Siegmund, AfD ka marrë mbi 40% në sondazhe për muaj të tërë dhe ka një shans real për të fituar një shumicë absolute nëse disa parti më të vogla nuk arrijnë të kalojnë pragun e 5% të Gjermanisë për të hyrë në parlament. Përqindja e saktë që do të përbënte një shumicë absolute, do të varet nga sa parti do e kapërcejnë këtë pengesë, por Siegmund ka thënë se qëllimi i tij është të arrijë 45% ose më shumë të votave.
Vota shihet si një barometër për qeverinë e Kancelarit Friedrich Merz, i cili është përpjekur të ulë popullaritetin e AfD-së duke ndjekur një qëndrim më të ashpër ndaj migracionit dhe sigurisë.
Rreth 1.7 milionë votues kanë kohë deri në orën 6 pasdite për të hedhur votën e tyre para se të mbyllen qendrat e votimit, me rezultatet fillestare që priten menjëherë pas kësaj.
Pjesëmarrja është shumë më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme shtetërore në vitin 2021, me 34.72% të votuesve të kualifikuar që kishin hedhur votat e tyre deri në mesditë, krahasuar me 22.4% më parë, tha komisioneri i zgjedhjeve shtetërore.
Sondazhet e fundit e vendosin AfD-në në pak mbi 40%, të ndjekur nga Kristian Demokratët (CDU) të Merz me 23%.
Një shumicë absolute do t’i lejonte partisë të anashkalonte “murrin mbrojtës” politik të Gjermanisë, sipas të cilit partitë kryesore refuzojnë të qeverisin me të.
Arritja e një shumice absolute është një standard i lartë për t’u kapërcyer në sistemin zgjedhor proporcional të Gjermanisë, i cili është hartuar pjesërisht për të inkurajuar qeveritë e koalicionit dhe për ta bërë të vështirë për një parti të qeverisë e vetme.
Nëse AfD dështon, një administratë e udhëhequr nga CDU nën kryeministrin aktual të shtetit Sven Schulze është rezultati më i mundshëm, megjithëse shumë do të varet nga partitë më të vogla që do të hyjnë në parlament.
Kushtetuta e landit kërkon që parlamenti i sapozgjedhur të mblidhet brenda 30 ditëve nga votimi, deri më 6 tetor, por nuk ka afat për zgjedhjen e një kryeministri të ri të landit.
Për AfD-në, Saksonia-Anhalt është një provë për ambiciet e saj më të mëdha për të siguruar pushtet kombëtar në zgjedhjet e ardhshme federale të vendosura për vitin 2029.
“Pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve të nesërme, ne kemi bërë tashmë histori”, tha Siegmund në një tubim përfundimtar të shtunën në mbrëmje.
“Sepse ajo që kemi filluar këtu në Saksonia-Anhalt – që aktualisht po përfshin të gjithë Gjermaninë – nuk mund të ndalet më”, i tha ai turmës në kryeqytetin e shtetit, Magdeburg.
Nëse zgjidhet, AfD planifikon të shtyjë shkollat dhe institucionet kulturore drejt vlerave më tradicionale, të frenojë imigracionin dhe të rishikojë transmetimet publike.
Megjithatë, pa një shumicë absolute, AfD, e cila është klasifikuar si “ekstrem i djathtë” nga shërbimi i sigurisë shtetërore, do të ketë vështirësi të hyjë në qeveri për shkak të murit mbrojtës.
Siegmund, i cili mbërriti për të hedhur votën e tij në qytetin e tij të lindjes, Tangermuende, i përshëndetur nga turma tifozësh të entuziazmuar, ka përjashtuar bisedimet e koalicionit me partitë e tjera.
Nëse kjo nuk arrihet, hapet mundësia e negociatave komplekse për koalicion midis partive të tjera.
Sondazhet sugjerojnë se një nga partnerët aktualë të koalicionit të CDU-së, Partia e Lirë Demokratike, nuk do të hyjë në parlament, ndërsa tjetra, Partia Social Demokratike (SPD), është nën 10%.
Aleanca e vogël populiste e krahut të majtë Sahra Wagenknecht (BSW), e vetmja parti që nuk e përjashton një koalicion me AfD-në, rrezikon gjithashtu të humbasë.
Kjo mund ta lërë Schulze-n, i cili është i favorizuar në sondazhe si zgjedhja kryesore e votuesve për udhëheqës, të luftojë për një shumicë të qëndrueshme.
Një mundësi mund të jetë një qeveri minoritare e udhëhequr nga Schulze që do të varet nga toleranca pasive nga Partia e Majtë – një model i përdorur në landin fqinj lindor gjerman të Turingisë.
Schulze, duke hedhur votën e tij në Magdeburg me shumë më pak turma, tha se shpresonte për një pjesëmarrje të lartë pas asaj që e përshkroi si një fushatë zgjedhore fizikisht dhe mendërisht të vështirë.
Source: Reuters


