Gjermani: Dron me Eksploziv u Gjet Pranë Avionit Ukrainas ‘Antonov Airlines’ që Mbante Municione

/

Dron me eksploziv ushtarak.

Një katastrofë e madhe me pasoja të paparashikuara mesa duket u shmang në Aeroportin e Leipzigut në Gjermani, pasi një dron i pajisur me një pajisje shpërthyese u gjet pranë një avioni transporti ukrainas.

Sipas informacioneve nga Süddeutsche Zeitung, NDR dhe WDR, avioni ukrainas Antonov, pranë të cilit u gjet droni, kishte transportuar më parë municione ushtarake nga Franca në Leipzig dhe ishte gati të vazhdonte misionin e tij. Informacioni bazohet në një raport konfidencial nga policia gjermane.

Dron me eksploziv ushtarak

Droni u gjet të martën e kaluar në mbrëmje dhe ekzaminimet fillestare treguan se ai mbante një eksploziv me fuqi të lartë, ndoshta të tipit Semtex, i cili përdoret si nga forcat e armatosura, ashtu edhe në industri.

Sipas autoriteteve, eksplozivi ishte i bashkangjitur në dron në një pako me madhësinë e një grushti.

Piroteknikët e Shërbimit të Hetimit të shtetit të Saksonisë arritën të hiqnin detonatorin, në mënyrë që të mund të vazhdonin me teste të mëtejshme laboratorike.

Droni fluturoi midis avionëve

Siç thuhet në raportin e policisë, punonjësit e aeroportit e panë dronin në orën 23:42 duke fluturuar midis dy avionëve transportues Antonov të linjës ajrore shtetërore ukrainase Antonov Airlines.

Gjatë incidentit, “droni erdhi në kontakt me një punonjës të aeroportit” përpara se të përfundonte në tokë.

Deri më tani, nuk është sqaruar se kush qëndron pas përpjekjes së mundshme për sulm.

Aeroporti i Leipzigut është një qendër e rëndësishme për transportin ushtarak të NATO-s, ndërsa shërben edhe për fluturime të avionëve transportues ukrainas.

Nivel i ri kërcënimi

Sipas informacionit të deritanishëm, sistemi i zbulimit dhe reagimit të droneve të aeroportit dështoi të zbulonte avionin pa pilot.

Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrind tha se sulmuesit me shumë gjasa e kishin modifikuar dronin për të anashkaluar sistemet ekzistuese të mbrojtjes.

Ai foli për një “nivel të ri kërcënimi” dhe e përshkroi incidentin si një “skenar të mundshëm sulmi hibrid”.

Implikimi i Gjermanisë me Rusinë

Nga ana e saj Rusia ka vënë në fokus Gjermaninë, nga ku avionë ukrainas ulen dhe furnizohen me armatime, municione dhe armë të tjera që i disponon për ta Gjermania dhe vende të NATO-s. Me këtë qëndrim dhe me këto lëvizje të shtetit gjerman, Rusia e ka përfshirë Gjermaninë në objektivat e saj armiqësorë.

Presidenti Putin ka thënë gjithmonë se kushdo që ndihmon dhe armatos Ukrainën është objektiv për goditje.

Tensioni në Gjermani tashmë është i shumëfishtë dhe rreziku për implikime dhe incidente, evident.


Source: Süddeutsche Zeitung / NDR / WDR

Previous Story

Sulme të Rënda Ukrainase Ndaj Infrastrukturës Energjetike Ruse

Latest from EU/BE

0 0,00