Mijëra njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre.
Shkatërrim i madh në Assam, Kerala, Jammu dhe Kashmir.
Më shumë se 100 njerëz kanë humbur jetën në Indi që nga fillimi i korrikut, për shkak të shirave të rrëmbyeshëm të musoneve, të cilat kanë shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje toke të përhapura në territorin e vendit.
Mijëra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në streha të përkohshme, pasi shumë zona mbeten të përmbytura.
Goditje e madhe në Assam
Shumica e viktimave janë regjistruar në rajonin e Assamit, në Indinë verilindore, një nga zonat më të goditura.
Sipas guvernatorit të rajonit, Himanta Biswa Sarma, të paktën 87 persona kanë vdekur nga përmbytje dhe rrëshqitje toke.
Vetëm në distriktin Sivasagar, numri i të vdekurve shkon në 47, me disa zona ende nën ujë.
“Nuk ka krahasim shkatërrimi këtu, me atë që këto zona janë përballur në të kaluarën”, tha Sharma në një postim.
Fatkeqësi në Kerala dhe Himalaje
Në Kerala, në Indinë jugore, autoritetet thanë se të paktën 15 persona u vranë dhe shtatë të tjerë u zhdukën pas ditësh me shira të rrëmbyeshëm.
Më shumë se 10,000 banorë janë zhvendosur në rreth 300 streha emergjence, ndërsa shirat vazhdojnë të shkaktojnë probleme të reja.
Në rajonin Himalajan të Jammu dhe Kashmir, të paktën 31 persona kanë vdekur pas dhjetëra shirave të papritura të rrëmbyeshëm.
Rrufetë vrasin në Jharkhand
Në shtetin e Jharkhand, të paktën 14 persona janë vrarë nga rrufeja, tha policia.
Shumica e të vdekurve ishin fermerë që po punonin në fusha kur u goditën nga stuhitë. Të paktën shtatë persona u plagosën nga rrufeja.
Departamenti Meteorologjik i Indisë ka paralajmëruar për shira të tjerë të rrëmbyeshëm në vend, në ditët në vijim.
Musonet shkaktojnë fatkeqësi çdo vit
Shirat e musoneve, të cilat zgjasin nga qershori deri në shtator, janë një burim jetësor uji për bujqësinë dhe aktivitetin industrial në Azinë Jugore, duke përbërë pjesën më të madhe të reshjeve vjetore.
Megjithatë, ato shkaktojnë edhe fatkeqësi të rënda çdo vit, me përmbytje, rrëshqitje toke dhe humbje jetësh.
Source: sustainme.in


