Një paralajmërim i ri për rrjedhën e marrëdhënieve greko-turke vjen nga Rusia, duke shkaktuar shqetësim në Athinë.
Andrei Klintsevich, një analist ushtarak dhe politik rus i lidhur me një grup ekspertësh që bashkëpunon me Ministrinë Ruse të Mbrojtjes, vlerëson se mundësia e një krize serioze ushtarake midis Greqisë dhe Turqisë në Egje nuk mund të përjashtohet.
Ky vlerësim nuk është thjesht një parashikim për një luftë të sigurtë, por një analizë e situatës. Kjo analizë merr një peshë të veçantë sepse vjen në një kohë kur rajoni po përjeton aktivitet intensiv armatimi dhe të dy vendet po investojnë në forcimin e aftësive të tyre ushtarake.
“Mburoja e Akilit” dhe mesazhi i dërguar nga Athina
Në zemër të analizës ruse është plani grek për një sistem shumështresor të mbrojtjes ajrore dhe mbrojtjes nga raketat, i njohur si “Mburoja e Akilit”.
Programi parashikon ndërlidhjen e sistemeve të ndryshme, duke përfshirë SPYDER, Barak MX, David’s Sling dhe Patriot, duke krijuar një rrjet të vetëm për t’iu kundërvënë kërcënimeve nga dronët, avionët, raketat kruz dhe raketat balistike.
Për Athinën, forcimi i mbrojtjes ajrore paraqitet si një investim për frenim dhe për mbrojtjen e hapësirës ajrore.
Megjithatë, për Moskën ky zhvillim interpretohet ndryshe: si një shenjë se Greqia po përgatitet për një mjedis ku kërcënimi ushtarak në Mesdheun Lindor nuk mund të injorohet, pasi është permanent.
Greqia dhe Turqia, aleatë në NATO, rivalë në Egje
Elementi më paradoksal i rastit është se Greqia dhe Turqia janë anëtarë të së njëjtës aleancë ushtarake. E megjithatë, dallimet mbi Egjeun, zonat detare, Qipron dhe hapësirën ajrore mbeten, janë prezent dhe marrëdhëniet acarohen çdo ditë dhe më shumë.
Analiza ruse argumenton se ekuilibri ushtarak midis dy vendeve tani po merr një karakter të fortë teknologjik, me dronët, raketat, sistemet kundërajrore dhe aftësitë e përqëndruara në rrjet, që fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi. Dhe këtu qëndron rreziku i vërtetë: një përballje që fillon si një krizë politike ose diplomatike mund të marrë shumë shpejt një dimension ushtarak.
Qeveria greke është përpara përgjegjësive të saj
Qeveria Mitsotakis ka investuar ndjeshëm në përmirësimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapacitetit parandalues të vendit. Por vetëm blerja e armëve të reja nuk është strategji.
Pyetja e vërtetë është nëse ekziston një plan gjithëpërfshirës sesi do të përdoren këto sisteme, si do të ndërlidhen, cila do të jetë disponueshmëria e tyre në një krizë të vërtetë dhe, mbi të gjitha, nëse Greqia ka burime të mjaftueshme njerëzore dhe materiale për t’u përballur me një tension të zgjatur.
Nuk mjafton që qeveria të shpallë programe armatimi dhe ta paraqesë Greqinë si më të fortë se kurrë. Ajo duhet të shpjegojë se çfarë do të thotë në të vërtetë kjo forcë në praktikë.
Gara e armëve
Situata tani i ngjan një gare të rrezikshme për superioritet teknologjik. Greqia po investon në mbrojtjen ajrore dhe mbrojtjen nga raketat, ndërsa Turqia po zhvillon dhe forcon aftësitë e veta në dronë, raketa dhe sisteme pa pilot.
Kjo po krijon një mjedis të ri ushtarak në Egje. Dhe sa më shumë sisteme të përparuara të përqendrohen në rajon, aq më e rëndësishme bëhet të shmanget një gabim, një kalkulim i gabuar ose një përshkallëzim i pakontrolluar.
Pyetja e madhe greke
Athina nuk mund të mbështetet në supozimin se kriza do të mbetet gjithmonë në nivelin diplomatik. Megjithatë, në shoqërinë greke nuk mund të kultivohet imazhi se një luftë është e pashmangshme.
Nevojitet seriozitet, qetësi dhe një strategji e qartë. Qeveria duhet t’i informojë qytetarët për gjendjen reale të kapacitetit parandalues të vendit, pa ekzagjerim, por edhe pa vetëkënaqësi, sepse parandalimi nuk ka të bëjë vetëm me armët, ka të bëjë me ekonominë, qëndrueshmërinë sociale, aleancat diplomatike, gatishmërinë operacionale dhe, mbi të gjitha, me vija të kuqe të qarta.
Paralajmërimi që nuk duhet të injorohet
Vlerësimi rus mund të jetë vetëm një analizë tjetër gjeopolitike dhe nuk do të thotë se një luftë greko-turke është e afërt. Por mund të jetë edhe një informacion “i nëndheshëm” dhe një analizë e ngritur mbi të.
Megjithatë, ai na kujton diçka, atë se Athina nuk mund ta injorojë: Egjeu mbetet një nga zonat më të ndjeshme në Mesdheun Lindor.
Qeveria greke tani ka një mision të vështirë përpara, të ruajë ekuilibrin, të përpiqet për parandalimin, pa e çuar situatën në një përshkallëzim të pakontrolluar dhe të bindë qytetarët se pas njoftimeve bombastike të armatimeve, fshihet një plan i vërtetë dhe gjithëpërfshirës i sigurisë kombëtare. Plan që në fakt ekziston, sipas të gjitha infromacioneve të Forcave të Armatosura Greke.
Nëse diplomacia dështon, ajo nuk do të gjykohet vetëm nga sasia e armëve që bleu Greqia, do të gjykohet nëse vendi ishte vërtet i përgatitur për orën kritike. Duhet theksuar gjithashtu se në flotën ajrore Greqia është superiore, në marinë gjithashtu tejet me eksperiencë, por në trupa kurrsesi nuk mund të jetë Turqi.
Më pas aleancat e Greqisë janë shtete me epërsi ushtarake, si Izraeli, Franca dhe të tjerë. Turqia në anën tjetër, ka Pakistanin, Arabinë Saudite, por nuk ka më Rusinë, nuk mund të ketë as Iranin, por heshtazi dhe prapa kuintave do të mund të ketë Gjermaninë.
Greqia dhe Turqia do të përballen në konflikt, por fitili do të ndizet në Qipro, mesa tregojnë lëvizjet e kohëve të fundit.
Source: Europost


