Nga një hetim penal tek një alarm për sigurinë kombëtare, besimin e aleatëve dhe mbrojtjen e informacionit sekret
Arrestimi dhe pezullimi nga detyra i drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është një prej zhvillimeve më të pazakonta në historinë e institucioneve të sigurisë së Shqipërisë.
Më 21 shtator 2026, GJKKO caktoi ndaj saj masat e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, pas kërkesës së SPAK-ut. Hyseni po hetohet për “përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Më 24 shtator, GJKKO e la në fuqi masën e arrestit në shtëpi.
Duhet theksuar që në fillim: një masë sigurie nuk është një vendim fajësie. Përgjegjësia penale e çdo personi përcaktohet vetëm përmes procesit gjyqësor. Por rëndësia e kësaj çështjeje shkon shumë përtej fatit juridik të një individi, sepse këtë herë dyshimi nuk prek një zyrtar të zakonshëm. Prek kreun e institucionit që ka për detyrë të mbledhë, analizojë dhe mbrojë informacionin që lidhet me sigurinë kombëtare.
Dhe pikërisht këtu parashktohet pyetja kritike:
A kemi të bëjmë vetëm me një çështje individuale, apo me një problem që prek mekanizmat e sigurisë së vetë shtetit shqiptar?
Një goditje në majën e piramidës së informacionit shtetëror
SHISH nuk është një institucion i zakonshëm administrativ. Ai është pjesë e arkitekturës së sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe vepron në një fushë ku informacioni mund të ketë vlerë strategjike.
Prandaj, kur drejtuesi i këtij institucioni vendoset nën masën e arrestit në shtëpi dhe hetohet edhe për zbulim të të dhënave sekrete, çështja nuk mund të shihet vetëm si një konflikt individual.
Çfarë ka ndodhur me informacionin? Por pyetja që pason është edhe më e rëndësishme:
A kanë funksionuar mekanizmat e kontrollit që duhet të parandalonin një komprometim të mundshëm?
Një shërbim inteligjence nuk mund të mbështetet vetëm tek integriteti personal i drejtuesit të tij. Ai duhet të ketë sisteme të shumëfishta kontrolli, kufizim aksesi, verifikime të vazhdueshme, regjistrim të përdorimit të informacionit dhe proçedura për reagimin ndaj çdo dyshimi për rrjedhje informacioni.
Çështja bëhet edhe më serioze kur në dosje shfaqen të dhëna sekrete
Sipas raportimeve të publikuara gjatë ditëve të fundit, në makinën e biznesmenit Ergys Agasi janë gjetur nëntë faqe me të dhëna që dyshohet se lidhen me SHISH-in. Po sipas raportimeve, Hyseni ka deklaruar para SPAK-ut se Agasi ka qenë bashkëpunëtor i shërbimit. Këto janë pretendime dhe deklarime të raportuara në media dhe statusi i tyre juridik duhet të përcaktohet nga hetimi dhe gjykata.
Por nëse hetimi do të provojë se dokumentet kanë qenë vërtet të klasifikuara dhe janë nxjerrë nga kanalet e autorizuara, atëherë dimensioni i çështjes ndryshon. Nuk do të flisnim më vetëm për një marrëdhënie mes dy individëve.
Ndaj do të duhej të hetohet:
Kush e kishte aksesin?
Kush e nxori informacionin?
Kush e mori?
Pse iu dha?
Sa informacion tjetër mund të jetë ekspozuar?
Dhe mbi të gjitha:
A ka dalë informacioni jashtë Shqipërisë?
NATO: çfarë ndodh nëse komprometohet informacioni?
Kjo është një nga pyetjet më të rëndësishme që duhet të trajtohet me seriozitet. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë mbështetet në shkëmbimin e informacionit dhe në besimin se ai informacion do të mbrohet.
NATO ka proçedura të posaçme për sigurinë e informacionit të klasifikuar dhe për kontrollin e aksesit të personelit dhe sistemeve. Arkivat e NATO-s dokumentojnë ndër të tjera proçedura për verifikimin e personelit, ruajtjen e materialeve të klasifikuara dhe inspektimet e sigurisë. Prandaj, në një skenar ku do të provohej komprometimi i informacionit të NATO-s, reagimi nuk do të duhej domosdoshmërisht të ishte publik.
Mund të ndodhë diçka shumë më diskrete.
Aleatët mund të:
- rishikojnë informacionin që i kanë dhënë Shqipërisë;
- vlerësojnë se cili informacion mund të jetë komprometuar;
- kufizojnë përkohësisht aksesin në kategori të caktuara informacioni;
- kërkojnë masa shtesë sigurie;
- kontrollojnë proçedurat e ruajtjes dhe transmetimit;
- rishikojnë personat që kanë pasur akses;
- dhe ndryshojnë kanale ose proçedura të caktuara komunikimi.
Kjo nuk do të thotë automatikisht se Shqipëria do të përjashtohej nga ndonjë mekanizëm i NATO-s apo se do të ndërpritej bashkëpunimi. Përkundrazi, reagimi më realist në një situatë të tillë do të ishte vlerësimi i dëmit dhe kufizimi i ekspozimit, në varësi të asaj që do të provonte hetimi. Për pasojë Shqipëria nëse vërtetohet se ka rrjedhur informacion koefidencial do t’i nënshtrohet masave të rrepta të kufizimeve.
Nga ana tjetër çdo vend anëtar do të mund të ketë qëndrimin e tij për masat që duhet të merren ndaj Shqipërisë, si anërate e NATOs.
Po shërbimet inteligjente të vendeve të BE-së?
Këtu ekziston një tjetër dimension. Shtetet anëtare të BE-së kanë sistemet e tyre kombëtare të mbrojtjes së informacionit, ndërsa informacioni i klasifikuar i BE-së mbrohet përmes rregullave të posaçme të sigurisë.
Në rast komprometimi, kuadri i BE-së parashikon masa të tilla si raportimi i incidentit, hetimi, ruajtja e provave, vlerësimi i dëmit dhe marrja e masave parandaluese.
Në rastin shqiptar, shërbimet partnere mund të bëjnë një pyetje shumë të thjeshtë:
Çfarë informacioni kemi ndarë me Shqipërinë dhe kush ka pasur akses në të?
Më pas do të vinte pyetja e dytë:
A ka ndonjë arsye për të besuar se ky informacion mund të jetë komprometuar?
Nëse përgjigjja do të ishte po, partnerët mund të rishikonin mënyrën sesi informacioni i ndjeshëm ndahet me institucionet shqiptare, jo domosdoshmërisht publikisht. Dhe ndoshta pikërisht kjo është pjesa më e rëndësishme për t’u kuptuar.
Në botën e inteligjencës, mungesa e deklaratave publike nuk do të thotë mungesë reagimi. Përkundrazi!
Skenari më i rrezikshëm: informacioni del jashtë NATO-s dhe BE-së
Nëse hetimi do të provonte se informacion i klasifikuar shqiptar ose informacion i marrë nga një partner i NATO-s/BE-së është transferuar te një shtet jashtë këtyre strukturave, atëherë çështja do të merrte një dimension shumë më të madh dhe përgjegjësia e Shqipërisë do të ishte shumë e madhe, përgjegjësi kjo direkt e kryeministrit të vendit, që zgjedh/selekton dhe emëron kreun e Shërbimeve Informative.
Sepse një gjë është komprometimi i një dokumenti brenda sistemit, dhe tjetër gjë është që, ai dokument të përfundojë në duart e një shërbimi të huaj.
Në këtë rast mund të rrezikohen:
- burime njerëzore;
- informatorë;
- metoda të mbledhjes së informacionit;
- operacione të fshehta;
- identitete të personave nën vëzhgim;
- infrastruktura kritike;
- proçedura të komunikimit;
- dhe marrëdhënie të fshehta bashkëpunimi.
Por ekziston edhe një rrezik më kompleks, Rreziku i “Mozaikut”.
Një dokument i vetëm mund të mos duket vendimtar. Por një shërbim inteligjent mund ta kombinojë atë me informacione të tjera. Nga një dokument mund të kuptohet kush është duke u hetuar. Nga një tjetër mund të kuptohet metoda e përdorur. Nga një i tretë mund të kuptohet se cili institucion bashkëpunon me cilin.
Dhe duke i bashkuar këto pjesë, mund të krijohet një pamje më e gjerë dhe më e plotë. Ndaj pyetja e shërbimeve partnere nuk do të ishte vetëm: Çfarë dokumenti u vodh? – por: “Çfarë mund të zbulojë një kundërshtar duke e kombinuar atë dokument me informacionet që tashmë disponon?”
Nga krimi i organizuar te siguria kombëtare
Nëse informacioni do të ishte transferuar te një organizatë kriminale, dëmi mund të jetë konkret edhe brenda Shqipërisë. Një organizatë kriminale që merr informacion mbi hetimet, personat nën vëzhgim apo aktivitetet e shërbimeve mund të:
ndryshojë komunikimet, zhvendosë asetet, paralajmërojë persona të tjerë, eliminojë prova ose mund të shmangë operacionet e institucioneve.
Nëse informacioni shkon më tej, te një aktor shtetëror i huaj, rreziku bëhet strategjik. Në këtë rast nuk kemi më vetëm kriminalitet. Kemi potencialisht kundërzbulim, ndikim të huaj dhe komprometim të interesave të sigurisë kombëtare.
Por ky është një skenar që duhet të provohet me fakte dhe nuk duhet shpallur si realitet përpara përfundimit të hetimit, por që dyshimet ekzistojnë dhe janë mëse të logjikshme.
Përgjegjësia nuk mbaron te personi që është nën hetim
Nëse në fund të proçesit gjyqësor provohet përgjegjësi individuale, ajo duhet të përcaktohet nga drejtësia. Por paralelisht parashtrohet dhe ekziston një pyetje institucionale që duhet bërë:
Si u bë e mundur që informacioni të arrinte aty ku nuk duhej të arrinte?
Kjo është pyetje e sistemit. Nëse një person arrin të nxjerrë informacion sekret, duhet të analizohet jo vetëm sjellja e tij, por edhe mekanizmi që e lejoi.
Kush e kontrolloi?
Kush e autorizoi?
Kush nuk e vuri re?
A kishte auditim?
A kishte regjistrim të aksesit?
A funksionuan filtrat e sigurisë?
Këto janë pyetje që nuk mund të zgjidhen vetëm me një arrestim.
Dhe këtu hyn përgjegjësia politike
Duhet bërë një dallim i qartë, përgjegjësia penale është individuale. Përgjegjësia institucionale është më e gjerë.
Edhe nëse gjykata në të ardhmen do të arrinte në përfundimin se përgjegjësia penale i përket vetëm një personi, shteti duhet të analizojë nëse proçedurat e përzgjedhjes, kontrollit dhe mbikëqyrjes së drejtuesve të institucioneve të sigurisë kanë qenë të mjaftueshme. Dhe përgjegjësitë janë të gjitha të kryeministrit Edi Rama.
Shqipëria përballë një testi të madh institucional
Rasti i SHISH-it është njëkohësisht test për disa institucione.
SPAK-u duhet të provojë me fakte pretendimet e tij.
GJKKO-ja dhe sistemi gjyqësor duhet të garantojnë proçes të rregullt dhe vendimmarrje të pavarur.
SHISH-i duhet të garantojë vazhdimësinë e funksionimit të institucionit dhe mbrojtjen e informacionit.
Qeveria duhet të garantojë stabilitetin institucional, paralelisht me marrjen e përgjegjësisë, që në raste të tilla duhet të pasohet me dorëheqje të kreut të qeverisë.
Kuvendi ka rolin e vet kushtetues të kontrollit dhe përgjegjësia është e plotë për 139 deputetë.
Dhe partnerët ndërkombëtarë do të kenë interes të dinë nëse mekanizmat shqiptarë të sigurisë janë në gjendje të identifikojnë, kufizojnë dhe korrigjojnë një komprometim të mundshëm.
Pyetja që Shqipëria nuk mund ta shmangë
Në fund, çështja nuk është vetëm: “Çfarë ka bërë Vlora Hyseni?” Hetimi duhet ta përcaktojë këtë.
Por pyetja që shteti shqiptar duhet t’i bëjë vetes është shumë më e madhe:
A është i sigurtë sistemi që mbron informacionin e sigurisë kombëtare?
Dhe nëse përgjigjja nuk është absolutisht po, atëherë duhet të dihet:
Ku është dobësia?
Sepse informacioni sekret nuk është thjesht një dokument.
Ai mund të jetë një burim njerëzor.
Një operacion.
Një marrëdhënie me një shërbim të huaj.
Një hetim.
Një metodë pune.
Një dobësi e kundërshtarit.
Ose një informacion që, në duart e gabuara, mund të vendosë njerëz në rrezik.
Në këtë analizë konkludoj si më poshtë
Arrestimi i drejtores së SHISH-it është një zhvillim jashtëzakonisht serioz për institucionet shqiptare. Por serioziteti i vërtetë i çështjes nuk do të përcaktohet vetëm nga ajo që ka ndodhur deri tani. Do të përcaktohet nga ajo që hetimi do të zbulojë më tej.
Nëse bëhet fjalë për përgjegjësi individuale dhe informacioni nuk ka dalë jashtë kanaleve të kontrolluara, kriza mund të kufizohet kryesisht në nivel institucional dhe juridik.
Nëse, në të kundërt, provohet se informacion i klasifikuar është transferuar te persona të paautorizuar, organizata kriminale ose shërbime të huaja, atëherë pasojat mund të jenë shumë më të gjera.
Dhe nëse në këtë proces rezulton se janë komprometuar edhe të dhëna të marra nga partnerët e Shqipërisë në NATO apo në vendet e BE-së, atëherë pyetja nuk do të jetë më vetëm nëse Shqipëria ka një problem me sigurinë e saj.
Pyetja do të jetë:
Sa informacion i besojnë aleatët Shqipërisë dhe sa të sigurtë janë ata se informacioni që i japin Tiranës mbetet aty ku duhet të jetë?
Kjo është arsyeja pse dosja e SHISH-it mund të rezultojë shumë më e madhe se një hetim penal ndaj një drejtuesi të lartë. Pasi në qendër të saj nuk është vetëm një person.
Është sekreti shtetëror.
Është besimi institucional.
Është siguria kombëtare.
Dhe, në fund, është besueshmëria e Shqipërisë përballë aleatëve të saj.
Kjo çështje është skandal shtetëror që duhet të pasohet menjëherë me dorëheqjen e kryeministrit, shkrirjen e qeverisë dhe kalimin e vendit në situatë emergjence kombëtare.
mast-info.com

