Shqipëria Përballë “Pasqyrës” – SPAK, Sa & Përse?

2013–2026: Lista e zyrtarëve dhe politikanëve të hetuar, akuzuar, arrestuar, gjykuar dhe dënuar

Një vend nuk zgjohet kur arrestohet një politikan, por zgjohet kur qytetarët kuptojnë se pushteti është i tyre.

Nga ministritë te bashkitë, nga drejtoritë te agjencitë shtetërore, nga deputetët te ish Presidenti i Republikës: një kronologji e emrave që janë përballur me hetime, akuza, masa sigurie, procese gjyqësore ose dënime gjatë viteve 2013–2026.

Një pyetje që nuk mund të shmanget:

Çfarë ndodh kur njerëzit që marrin përsipër të administrojnë paratë, pronën dhe institucionet e shtetit përfundojnë vetë nën hetim, në bankën e të pandehurit, në paraburgim apo në burg?

Kjo është një pyetje që Shqipëria duhet ta bëjë pa frikë.

Jo për të shpallur fajtorë njerëz përpara gjykatës. Jo për të zëvendësuar drejtësinë me politikën. Por për të parë një realitet institucional që tashmë nuk mund të mohohet: gjatë periudhës 2013–2026, një numër i konsiderueshëm funksionarësh të niveleve të ndryshme të shtetit shqiptar janë përballur me procedime penale, hetime, masa sigurie, gjykime dhe dënime.

Vetë SPAK raporton se në periudhën dhjetor 2019–2024 ka regjistruar 1.809 procedime penale për 2.496 persona, ndërsa 1.387 persona janë dërguar për gjykim. Për korrupsionin, SPAK raporton 1.097 procedime dhe 1.036 persona nën hetim.

Në vitin 2025 vetëm, SPAK hetoi 871 procedime penale, ndërsa për korrupsionin regjistroi 220 çështje/hetimime. Për zyrtarët e nivelit të lartë, 30 persona ishin nën hetim; 18 u dërguan në gjykatë dhe 10 u dënuan me vendim të formës së prerë.

Këto nuk janë shifra të një partie politike, këto janë të dhëna të organeve të drejtësisë dhe pikërisht për këtë arsye meritojnë vëmendjen e publikut.

ÇFARË NA THONË SHIFRAT?

Raporti i SPAK për vitin 2024 tregon se gjatë atij viti ishin nën hetim 33 ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 u dërguan në gjykatë.

Raporti i vitit 2025 tregon:

30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim

18 të dërguar në gjykim

10 të dënuar me vendim të formës së prerë.

Dhe GJKKO dha gjatë vitit 2025:

66 vendime dënimi

197 persona të dënuar

Para se të lexoni listën?

Kjo nuk është një listë thjesht “fajtorësh”, është një listë proçedurale, një person nën hetim nuk është i dënuar, një person i pandehur nuk është i dënuar, një person i arrestuar nuk është automatikisht fajtor, vetëm një vendim gjyqësor i formës së prerë përcakton fajësinë penale. Por ky person në hetim është drejtues i lartë në administratë, duhet të pezullohet nga detyra deri në përfundimin e hetimit.

2013–2016

Vitet e para të qeverisjes Rama

Në vitet e para pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, hetimet dhe proçedimet prekën administratën tatimore, legalizimet, pushtetin vendor, deputetë dhe funksionarë të tjerë.

TOM DOSHI

Funksioni: deputet, Qarku Shkodër

Tom Doshi u arrestua më 26 mars 2015 pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme dhe heqjes së imunitetit parlamentar. Çështja lidhej me pretendimet e tij për një atentat të porositur dhe akuzat e prokurorisë për dëshmi/kallëzim të rremë.

ARMANDO PRENGA

Funksioni: deputet

U përball me proçedim penal dhe kërkesë për autorizim parlamentar për arrestimin e tij.

SHUKRI XHELILI

Funksioni: Kryetar i Bashkisë Dibër

U arrestua dhe u proçedua penalisht pas publikimit të videos që çoi në skandalin e Bashkisë Dibër.

ELVIS RR0SHI

Funksioni: Kryetar i Bashkisë Kavajë

U përball me proçedurat e ligjit të dekriminalizimit dhe humbi mandatin.

AGIM KAJMAKU

Funksioni: Kryetar i Bashkisë Vorë

Rasti i tij u trajtua në kuadër të verifikimit të figurës sipas ligjit të dekriminalizimit.

2017–2019

Ministrat dhe deputetët hyjnë në qendër të vëmendjes

SAIMIR TAHIRI

Funksioni: Ministër i Brendshëm; deputet

Tahiri u hetua dhe u gjykua në çështjen e lidhur me grupin Habilaj. Në fund ai u dënua për shpërdorim detyre, ndërsa për akuzat më të rënda lidhur me trafikimin e narkotikëve dhe korrupsionin nuk u shpall fajtor.

2019–2021

Krijohet SPAK dhe ndryshon panorama

Dhjetori 2019 shënon një pikë kthese. Me funksionimin e SPAK dhe GJKKO, hetimi i korrupsionit në nivelet e larta të shtetit merr një dimension të ri.

Raporti i SPAK për vitin 2023 dokumenton proçedime ndaj ish ministrave, një ish zëvendësministri, kryetarëve dhe ish kryetarëve të bashkive, sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë.

DOSJA E INCENERATORËVE

Një nga goditjet më të mëdha ndaj administratës dhe politikës shqiptare

LEFTER KOKA

Funksioni: ish Ministër i Mjedisit

U arrestua në dhjetor 2021, në çështjet e inceneratorëve është shpallur fajtor dhe ka marrë dënime të ndryshme për dosjet e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës.

Në maj 2026, Gjykata e Lartë la në fuqi dënimet për çështjen e inceneratorit të Elbasanit; Koka u dënua me 10 vite burg, të reduktuara në 6 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.

ALQI BLLAKO

Funksioni: ish deputet; ish Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit

U përfshi në dosjet e inceneratorëve. Gjykata e Posaçme e Apelit e shpalli fajtor për shpërdorim detyre në çështjen e Elbasanit dhe Gjykata e Lartë në maj 2026 la në fuqi vendimin; dënimi i tij përfundimtar në atë çështje u raportua 2 vite e 8 muaj pas gjykimit të shkurtuar.

PËLLUMB ABESHI

Funksioni: zyrtar i administratës

I dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

BARDHYL ÇABIRI

Funksioni: zyrtar

I dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

JONIDA ZEQO

Funksioni: zyrtare

E dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

SERAFIN PAPA

Funksioni: zyrtar

I dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit.

MIREL MËRTIRI

Funksioni: biznesmen i lidhur me koncesionin

I dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në mungesë.

KLODIAN ZOTO

Funksioni: biznesmen

I dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në mungesë.

STELA GUGALLJA

Funksioni: administratore e shoqërisë së inceneratorit

E dënuar në çështjen e inceneratorit të Elbasanit, në mungesë.

Gjykata e Lartë në 2026 la në fuqi dënimet për këta të pandehur në çështjen e Elbasanit.

ARBEN AHMETAJ

Nga zëvendëskryeministër te i pandehur

ARBEN AHMETAJ

Funksioni: Ministër; Zëvendëskryeministër

Ahmetaj është një nga figurat më të larta të qeverisjes Rama që është përballur me hetimin e SPAK. Çështja lidhet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe çështje të tjera të lidhura me veprimtarinë e tij publike.

Procesi vijon sipas proçedurave gjyqësore, por nuk duhet paraqitur si i dënuar pa një vendim përfundimtar.

Sot në arrati / azilant politik në Zvicër, njëkohësisht denoncues i një seri çështjesh korruptive që po i vijnë në ndihmë drejtësisë shqiptare.

ILIR BEQAJ

Ish Ministri i Shëndetësisë

ILIR BEQAJ

Funksioni: Ministër i Shëndetësisë; drejtues i SASPAC

Është përfshirë në dosjen e sterilizimit dhe në një proçedim tjetër lidhur me SASPAC. Rasti i tij është shembull i një zyrtari që pas largimit nga posti ministror vazhdoi të mbante një funksion të rëndësishëm publik, mes të cilit sërish abuzoi me fonde të BE-së.

KRYETARËT E BASHKIVE

Pushteti vendor nuk mbeti jashtë

Një pjesë e konsiderueshme e dosjeve të korrupsionit ka prekur pushtetin vendor. Vetë raporti zyrtar i SPAK për 2023 evidenton proçedime ndaj pesë ish kryetarëve bashkish, dy kryetarëve bashkish dhe një ish kandidati për kryetar bashkie.

VANGJUSH DAKO

Funksioni: ish Kryetar i Bashkisë Durrës

GJKKO e shpalli fajtor për shpërdorim detyre dhe në nëntor 2024 e dënoi me 2 vite e 8 muaj burg.

FATOS TUSHE

Funksioni: ish Kryetar i Bashkisë Lushnjë

U arrestua dhe u dënua për vepra që lidhen me tenderat dhe shpërdorimin e detyrës.

SAFET GJICI

Funksioni: ish Kryetar i Bashkisë Kukës

U arrestua në qershor 2023. Apeli i GJKKO e dënoi përfundimisht me 4 vite e 6 muaj burg, që pas gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 3 vite.

LEFTER ALLA

Funksioni: ish Kryetar i Bashkisë Bulqizë

U përball me hetime dhe masë arresti në çështje që lidhen me prokurimet publike.

JORGO GORO

Funksioni: ish Kryetar i Bashkisë Himarë

U arrestua dhe u përfshi në proçedim penal lidhur me çështje pronësie dhe veprime të administratës lokale.

ERION ISAI

Funksioni: Kryetar i Bashkisë Kolonjë

Në qershor 2026 SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve ndaj 16 të pandehurve lidhur me proçedurat e prokurimit të ARRSH-së dhe Bashkisë Kolonjë.

Erion Isai akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

ERION VELIAJ

Kryetari i Bashkisë Tiranë në gjykim

ERION VELIAJ

Funksioni: Kryetar i Bashkisë Tiranë

SPAK përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim proçedimin penal nr. 27/2024 më 10 shtator 2025. Veliaj është i akuzuar për vepra penale të lidhura me korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë.

Në dhjetor 2025 SPAK sqaroi publikisht se çështja ndodhej në fazën e gjykimit paraprak.

Statusi: jo i dënuar, ende në proçes gjyqësor dhe në paraburgim.

DOSJA 5D

Administrata e Bashkisë Tiranë

Në dosjen 5D janë përfshirë drejtues dhe ish drejtues të strukturave të Bashkisë Tiranë.

REDI MOLLA

Funksioni: ish drejtor në Bashkinë Tiranë

MARIGLEN QATO

Funksioni: ish drejtor në Bashkinë Tiranë

TAULANT TUSHA

Funksioni: ish drejtues i strukturave të Bashkisë Tiranë

Këto raste janë veçanërisht të rëndësishme sepse tregojnë se një skemë e dyshuar korrupsioni mund të kalojë përmes hallkave administrative, jo vetëm përmes një funksionari politik.

EVI S BERBERI

Nga administrata teknike te dosjet e tenderave

EVIS BERBERI

Funksioni: ish Drejtor i Përgjithshëm i ARRSH

SPAK e ka përfshirë në proçedimet lidhur me tenderat e infrastrukturës. Në nëntor 2025, SPAK e përmendi si të pandehur në çështjen ku ishte përfshirë edhe Belinda Balluku dhe zyrtarë të tjerë të ARRSH-së.

BELINDA BALLUKU

Një nga çështjet më të rëndësishme të vitit 2025–2026

BELINDA BALLUKU

Funksioni: ish ministre; ish zëvendëskryeministre; deputete

Në tetor 2025 SPAK i komunikoi akuzën për shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera në lidhje me procedurën për tunelin e Llogarasë.

Në nëntor 2025 GJKKO vendosi ndaj saj:

  • ndalimin e daljes jashtë shtetit;
  • pezullimin nga detyra.

SPAK më pas kërkoi autorizim nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së saj, gjë që nuk u pranua nga parlamenti me 83 madate të Partisë Socialiste.

Në qershor 2026 SPAK njoftoi se Balluku ishte marrë e pandehur dhe se hetimi ishte zgjeruar edhe në akuza të tjera, ndërsa u vendos sekuestro preventive mbi disa pasuri.

SALI BERISHA

Ish Kryeministri përballë gjykatës

SALI BERISHA

Funksioni: ish Kryeministër; deputet, Kryetari i PD-së;

SPAK përfundoi hetimet në dosjen “Partizani” dhe më 15 tetor 2024 dërgoi për gjykim çështjen ndaj Sali Berishës. SPAK e akuzon për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, kryer në bashkëpunim. Në këtë dosje janë të pandehur edhe persona të tjerë, ndër ta Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi.

Statusi: i pandehur, në gjykim. Jo i dënuar.

ILIR META

Ish Presidenti i Republikës

ILIR META

Funksioni: President i Republikës 2017–2022; ish deputet; ish zëvendëskryeministër, ish kryeministër, ish kryetari i LSI-së, ish kryetar i parlamentit; kryetari i Partisë së Lirisë;

SPAK dërgoi në gjykim më 29 gusht 2025 proçedimin penal ndaj Ilir Metës. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, ai akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, pastrim të produkteve të veprës penale dhe mosdeklarim/fshehje ose deklarim të rremë të pasurive.

Statusi: i pandehur, i paraburgosur, në proçes gjyqësor.

MONIKA KRYEMADHI

MONIKA KRYEMADHI

Funksioni: ish deputete; ish kryetare e LSI;

SPAK e ka dërguar për gjykim së bashku me Ilir Metën. Ajo akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim të produkteve të veprës penale dhe çështje të lidhura me deklarimin e pasurive.

PIRRO XHIXHO

PIRRO XHIXHO

Funksioni: ish drejtues i AKEP

SPAK e ka dërguar për gjykim në çështjen Meta-Kryemadhi. Ai akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë, në bashkëpunim.

DREJTORË, SEKRETARË TË PËRGJITHSHËM DHE ADMINISTRATA

Këtu është një nga pjesët më të rëndësishme të panoramës korruptive dhe të veprimit të organeve të drejtësisë, spse një tender nuk firmoset vetëm nga ministri, një konçesion nuk administrohet vetëm nga ministri, një fond publik nuk shpërndahet vetëm nga kryeministri, por ekziston një zinxhir administrativ:

ministri → sekretari i përgjithshëm → drejtorët → komisionet → specialistët → proçedura e prokurimit → kontrata → pagesa.

Dhe pikërisht për këtë arsye hetimet e SPAK kanë prekur edhe këto hallka të administratës së lartë publike.

Raporti zyrtar i SPAK për 2023 evidenton proçedime ndaj:

  • ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë;
  • ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit;
  • ish Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë;
  • ish zëvendësministrit të Shëndetësisë;
  • drejtuesve dhe ish drejtuesve të pushtetit vendor.

ÇFARË NA TREGON KJO LISTË?

Lista nuk provon se çdo institucion shqiptar është i korruptuar, por tregon diçka tjetër, shumë më konkrete:

korrupsioni i dyshuar në Shqipëri nuk është kufizuar në një nivel të vetëm të administratës, por ka prekur: ministra, zëvendësministra, zëvendëskryeministra, deputetë, kryetarë bashkish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë të përgjithshëm, drejtorë institucionesh, zyrtarë të prokurimeve, administratorë publikë.

Raporti i SPAK për vitin 2023 dokumentonte pikërisht këtë shtrirje të hetimeve te zyrtarët e nivelit të lartë. Dhe në vitin 2025, SPAK raportoi 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, 18 të dërguar në gjykim dhe 10 të dënuar me vendim të formës së prerë.

SHQIPËRIA NUK DUHET TË ZGJOHET VETËM KUR VIJNË PRANGAT

Këtu është problemi më i madh. Ne shpesh kujtohemi për korrupsionin kur një politikan arrestohet, kur del një video, kur SPAK publikon një komunikatë, kur shohim një zyrtar duke hyrë në GJKKO, por demokracia nuk fillon në ditën e arrestimit. Demokracia fillon shumë më herët. Fillon kur qytetari pyet:

Sa kushtoi kjo rrugë?

Kush e fitoi tenderin?

Pse u ndryshuan kriteret?

Kush e firmosi kontratën?

Sa para janë paguar?

A u realizua projekti?

Kush përfitoi?

Ku shkuan paratë?

Këto nuk janë pyetje politike, këto janë pyetje që duhet të ngrehë/bëjë qytetari.

POLITIKANI NUK ËSHTË PRONAR I SHTETIT

Ministri nuk është pronar i ministrisë, Kryetari i bashkisë nuk është pronar i bashkisë, Drejtori nuk është pronar i institucionit, Deputeti nuk është pronar i mandatit, Kryeministri nuk është pronar i Shqipërisë, Presidenti nuk është pronar i Republikës.

Ata ushtrojnë funksione publike dhe fondet që administrojnë janë fonde të qytetarëve. Prandaj llogaridhënia nuk është armiqësi ndaj shtetit, është pjesë e vetë shtetit demokratik.

KORRUPSIONI NUK ËSHTË VETËM PROBLEM I POLITIKANIT

Nëse një zyrtar merr ryshfet, është përgjegjësi e tij. Nëse një biznesmen jep ryshfet, është përgjegjësi e tij. Nëse një qytetar paguan për një shërbim që duhet ta marrë falas, kjo ushqen sistemin korruptiv.

Korrupsioni nuk luftohet vetëm në SPAK.

Luftohet edhe në sportele, në zyra, në tendera, në bashki, në institucione, në ministri. në votime, në media, në shoqëri, në ndërgjegjen e çdo qytetari.

PYETJA QË DUHET T’I BËJË SHOQËRIA SHQIPTARE

Çështja nuk është vetëm se sa ministra janë hetuar, nuk është vetëm se sa kryetarë bashkish janë arrestuar, nuk është vetëm se sa drejtorë kanë përfunduar në gjykatë.

Pyetja është:

Pse një pjesë kaq e madhe e administratës publike përfundon vazhdimisht në dosje penale që lidhen me tenderat, pronat, koncesionet, lejet, fondet publike dhe shpërdorimin e detyrës?

Dhe pyetja tjetër është po aq e rëndësishme:

Sa prej këtyre rasteve kanë sjellë rikthimin real të parave dhe pasurive të dëmtuara në buxhetin e shtetit?

Sepse qëllimi i një shteti demokratik nuk është thjesht të arrestojë një zyrtar pas abuzimit. Qëllimi është të krijojë një sistem ku zyrtari ta dijë që paratë publike nuk janë para të tijat.

ZGJIMI QË I DUHET SHQIPËRISË

Shqipëria nuk ka nevojë për një popull që duartroket çdo pushtet, as për një popull që urren çdo pushtet. Ka nevojë për qytetarë që kontrollojnë pushtetin.

Standardi duhet të jetë NJË:

Paratë publike duhet të mbrohen.

Ligji duhet të zbatohet.

Institucionet duhet të japin llogari.

Drejtësia duhet të jetë e pavarur.

Qytetari duhet të ketë informacion.

Media duhet të hetojë.

Dhe pushteti duhet të kontrollohet.

NJË SHTET QË MENAXHON PARATË E POPULLIT DUHET T’I JAPË LLOGARI POPULLIT

Lista e mësipërme është një hartë e përballjes së administratës dhe politikës shqiptare me drejtësinë gjatë një periudhe 13-vjeçare. Dhe kjo hartë është e mjaftueshme për të ngritur pyetje serioze, pasi në një demokraci normale, qytetari nuk mund dhe nuk duhet të jetë spektator. Ai duhet të jetë kontrolluesi i pushtetit, me votën e tij, me këmbënguljen për transparencë, me denoncimin e korrupsionit dhe me kërkesën e vazhdueshme për llogaridhënie.

Sepse pushteti publik ka vetëm një pronar: PUBLIKUN.

Dhe çdo zyrtar që administron paratë publike duhet ta ketë të qartë:

Ato para nuk janë të tijat.
Ato poste nuk janë të tijat.
Ato institucione nuk janë të tijat.
Dhe pushteti nuk është pronë private.

A po ndërtojmë një shtet ku zyrtari ka frikë nga ligji, apo një shtet ku qytetari ka frikë nga zyrtari?

Përgjigjja nuk duhet të vijë vetëm nga SPAK, duhet të vijë nga shoqëria.

Nga gazetaria.

Nga opozita.

Nga mazhoranca.

Nga administrata.

Nga biznesi.

Dhe mbi të gjitha, nga qytetari.

Sepse shteti nuk është i atij që ka zyrë, Shteti është i qytetarit.

Dhe fondet publike nuk janë plaçkë politike, por janë paratë e njerëzve.

Prandaj Shqipëria nuk ka nevojë për qytetarë të frikësuar, apo për patronazhistë partish të korruptuara, por ka nevojë për qytetarë të informuar, aktivë dhe të përgjegjshëm, ko për të marrë ligjin në duart e tyre, por për të kërkuar që ligji të jetë mbi të gjithë.

Kjo është beteja e vërtetë kundër korrupsionit.


mast-info.com

Lini një Përgjigje

Your email address will not be published.

Previous Story

Shqipëria Pas Arrestimit të Kreut të SHISH: Kur Kriza Prek Zemrën e Shtetit - Ndryshojnë Raportet me NATO & BE

Latest from Albania (Shqipëri)

0 0,00 €