Samiti kritik kokë më kokë në Kinë.
Mirësjellje, protokoll i rreptë, drejtorë ekzekutivë të gjigantëve në mision dhe gjemba gjeopolitikë globalë.
Një fotografi që duket se është marrë nga një epokë tjetër dhe vjen në kontrast të plotë me retorikën agresive të luftës tregtare, u shpalos në orët e para të së enjtes në zemër të Kinës.
Pekini mobilizoi sharmin e tij absolut “imperial” dhe ritualin e tij më të rreptë për të mirëpritur Presidentin Donald Trump në Pallatin e Madh të Popullit, në Sheshin Tiananmen.
Karvani i presidentit amerikan mbërriti pak pas orës 4:00 të mëngjesit (ora AL), me Xi Jinping që e priste në tapetin e kuq. Nën tingujt e një bande ushtarake që luante himnet kombëtare dhe të shoqëruar nga fëmijë të vegjël që valëvitnin flamuj, të dy udhëheqësit shkëmbyen shtrëngimin e tyre të parë të ngrohtë të duarve.
Por pas peizazhit mbresëlënës fshihet një lojë pokeri diplomatik i pamëshirshme me tre “gjemba” kryesore:
* tarifat tregtare
* konkurrencën teknologjike dhe sigurisht,
* krizën në Iran
Mesazhi i Xi-së dhe “Kurthi historik i Tukididhit”
Në deklaratat e tij publike hapëse, presidenti kinez u sigurua që t’i jepte menjëherë takimit peshën e duhur. “E gjithë bota po shikon takimin tonë sot.
Aktualisht, transformime të papara në një shekull po përshpejtohen në mbarë botën dhe situata ndërkombëtare është fluide dhe e trazuar”, tha Xi Jinping, duke u përpjekur t’i bënte Shtetet e Bashkuara të ndërgjegjshme për përgjegjësitë e tyre historike.
Pika më interesante e deklaratës së tij ishte referenca e drejtpërdrejtë ndaj historisë së lashtë greke, konkretisht te “Kurthi i Tukididit”, teoria që shpjegon pashmangshmërinë e konfliktit kur një fuqi në ngritje (Kina) kërcënon një fuqi dominuese (Shtetet e Bashkuara).
“Bota ka arritur në një udhëkryq të ri. A mund ta kapërcejnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara Kurthin e Tukididit dhe të krijojnë një model të ri marrëdhëniesh?” pyeti Xi, duke hedhur provën e bashkëpunimit:
“Ne duhet të jemi partnerë, jo kundërshtarë, dhe të përparojmë së bashku.” Këtu presidenti kinez i bën një ftesë të hapur për bashkëpunim, partneritet, duke shmangur kundërshtitë, por Kina dhe Amerika janë në kundërshti që nga sistemi qeverisës, sistemi politik (monopartiak dhe pluralist) dhe deri në parime të së drejtës së individit.
“Komplimentet” e Trump dhe largimi i gjigantëve të teknologjisë
Nga ana e tij, Donald Trump zgjodhi të linte mënjanë (të paktën përkohësisht) fytyrën e negociatorit të ashpër, duke ia kthyer mikpritjen me superlativa. Ai e përshkroi marrëdhënien e tij me Xi si “fantastike”, e quajti atë një “udhëheqës të shkëlqyer” dhe deklaroi se ka respekt të madh për kulturën kineze.
Megjithatë, qëllimet e palës amerikane pasqyrohen qartë në përbërjen e delegacionit. Pranë drejtuesve të qeverisë ishin ulur përfaqësues të lartë të industrisë amerikane, si njeriu i fortë i Apple, Tim Cook, dhe drejtori ekzekutiv i gjigantit të mikroçipave NVIDIA, Jensen Huang. Prania e tyre dëshmon se beteja për patentat, kufizimet në eksportet e teknologjisë dhe zinxhirin e furnizimit do të jetë e ashpër pas dyerve të mbyllura.
“Elefanti” i Iranit në dhomë
Pasi mbaruan bisedat miqësore, të dy udhëheqësit u tërhoqën për bisedimet e tyre të rëndësishme private. Programi i ditës përfundoi me një vizitë në Tempullin e Qiellit dhe një darkë zyrtare shtetërore.
Pyetja e madhe mbetet nëse Trump do të arrijë të nxjerrë ndonjë angazhim nga Pekini për çështjen e Iranit. Paraliza e Ngushticës së Hormuzit po e “djeg” ekonominë kineze, por Kina mbetet “dhuruesja kryesore e gjakut” për Teheranin, financat pra, nëpërmjet tregut të naftës.
Nëse mikpritja “imperiale” do të transformohet në lëshime të konsiderueshme gjeopolitike apo do të mbetet një shfaqje e thjeshtë televizive, do të shihet në njoftimet përfundimtare.
Sources:
The Guardian


