Më shumë se gjashtë minuta errësirë në mes të ditës!
Eklipsi duhet të vëzhgohet me syze mbrojtëse të çertifikuara posaçërisht!
Një nga fenomenet më mbresëlënëse astronomike të dekadave të fundit pritet të ndodhë më 2 gusht 2027, kur një eklips total diellor do të “zhytë” zona të Europës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme në errësirë për më shumë se gjashtë minuta.
Ky eklips i veçantë vlerësohet të zgjasë 6 minuta e 23 sekonda në fazën e tij totale, gjë që e bën atë një nga më të gjatët dhe më të rrallët e shekullit të 21-të.
Shkencëtarët shpjegojnë se kohëzgjatja jashtëzakonisht e madhe është për shkak të një shtrirjeje veçanërisht të favorshme të Tokës, Hënës dhe Diellit.
Në kohën e fenomenit, Hëna do të jetë më afër Tokës, duke u dukur më e madhe në qiell, ndërsa Toka do të jetë në një pikë në orbitën e saj ku është më larg Diellit, duke e bërë atë të duket pak më e vogël.
Rruga e eklipsit total do të fillojë në Oqeanin Atlantik dhe do të kalojë nëpër zona të Spanjës, Gjibraltarit, Marokut, Algjerisë, Tunizisë, Libisë, Egjiptit, Sudanit, Arabisë Saudite, Jemenit dhe Somalisë. Pika ku do të regjistrohet kohëzgjatja maksimale e fenomenit pritet të jetë mbi Egjipt.
Gjatë eklipsit të plotë, qielli do të errësohet sikur të binte muzgu, ndërsa korona e Diellit, atmosfera e tij e jashtme që zakonisht fshihet nga shkëlqimi intensiv diellor, do të bëhet e dukshme. Vëzhguesit mund të shohin edhe fenomene të rralla vizuale, të tilla si “unaza e diamantit” dhe të ashtuquajturat “rruaza Bailey”.
Ekspertët kujtojnë se eklipsi duhet të vëzhgohet me syze mbrojtëse të çertifikuara posaçërisht, pasi shikimi direkt i Diellit mund të shkaktojë dëmtime serioze në shikim.
Source: nso.edu

