Avokati Abelardo de la Esperanza, duket se po fiton zgjedhjet presidenciale të Kolumbisë me një diferencë të ngushtë, sipas rezultateve të hershme. Me mbi 99% të votave të numëruara, ai ka gati 49.7% të votave, krahasuar me 48.7% të rivalit të tij të majtë, Ivan Cepeda.
Fitorja e tij shënon një zhvendosje djathtas pas mandatit katërvjeçar të presidentit të parë të majtë të vendit, Gustavo Petro dhe i bashkohet lëvizjes më të gjerë të Amerikës Latine nën mandatin e dytë të Trump, i cili e mbështeti hapur atë.
Sapo filluan të dilnin rezultatet e para, atmosfera në vend u nxeh. Bogota u transformua në një det me brirë, vuvuzela dhe brohoritje, me mbështetësit e fituesit që dolën në rrugë dhe brohoritën slogane kundër Presidentit në largim Petro.
Në të kundërt, në qytetin perëndimor të Calit, reagimi ishte shumë më i dhunshëm: protestuesit, të zemëruar nga rezultati i zgjedhjeve, dogjën flamuj amerikanë dhe u përleshën me policinë duke shkaktuar trazira, e cila u përgjigj duke qëlluar me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
De la Esperanza, i cili e filloi fushatën e tij si një avokat, u transformua në një kandidat populist me një fanellë futbolli dhe një kapelë kashte, duke përdorur efekte dixhitale mbresëlënëse, video tigrash dhe slogane të forta anti-Petro. Në zemër të fushatës së tij ishte rivendosja e sigurisë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit dhe shpëtimi i një ekonomie thuajse të shkatërruar nga e majta.
Ai adoptoi një ton nacionalist, huazoi taktika nga presidentë të tillë si Bukele (President i El Salvadorit) dhe Milley (President i Argjentinës), si dhe premtoi masa të ashpra, ndërsa i dha përparësi Zotit dhe familjes, duke hedhur poshtë “ideologjinë gjinore”.
Ai ka kërcënuar “të shkatërrojë” të majtën dhe i bëri thirrje administratës Trump të shënjestrojë kundërshtarët e tij politikë. Retorika e tij kundër “narko-terroristëve” gjeti jehonë në qendrat urbane, ku qytetarët i frikësohen një rikthimi të dhunës së dekadave të mëparshme, si dhe zhvatjes që po godet bizneset e vogla. Në të kundërt, mbështetja e tij ishte më e ulët në zonat rurale, ku po shpërthejnë konfliktet për trafikimin e drogës dhe minierat e paligjshme.
Fushata u shënua nga sulme të dhunshme, të tilla si vrasja e një kandidati konservator dhe dy anëtarëve të partisë së de la Esperanza, të cilat përforcuan mesazhin e tij të rendit.
Pjesëmarrja në votime ishte më e larta në dekada, ndërsa hendeku midis dy kandidatëve ishte më i ngushti i regjistruar ndonjëherë në një garë presidenciale me dy raunde.


Source: Fox News


