Disa persona u plagosën pasi një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 ballë goditi sot Japoninë jugperëndimore, ndërsa disa ndërtesa u shembën dhe u shkaktuan zjarre, siç njoftoi Kryeministrja Sanae Takaichi.
“Ne po vazhdojmë të vlerësojmë shkallën e lëndimeve dhe dëmeve materiale, por jam informuar se tashmë ka disa të plagosur… në disa zona pati ndërprerje të energjisë elektrike dhe zjarre, rrugë dhe ura u dëmtuan dhe ndërtesa u shembën”, tha ajo.
Një tërmet i fortë, me një magnitudë paraprake prej 7.1 ballë, goditi sot Prefekturën Kumamoto në Japoninë jugore, sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë (JMA).
Tërmeti, i cili goditi në orën 4:27 pasdite (ora lokale) ishullin Kyushu, arriti nivelin maksimal (7) në shkallën e intensitetit sizmik të vendit (‘shido’), e cila mat forcën me të cilën ndihen tërmetet, tha JMA.
Autoritetet kanë lëshuar një paralajmërim për cunami prej një metri, sipas JMA-së.
Qeveria japoneze ka lëshuar paralajmërime emergjente për tërmete për prefekturat Kumamoto, Nagasaki, Kagoshima, Fukuoka, Saga, Oita dhe Miyazaki, të gjitha në ishullin jugor të Kyushu-së.
Sipas Qendrës Amerikane të Paralajmërimit për Cunam në Paqësor (PTWC), nuk ka kërcënim për cunami në Hawaii dhe Samoa Amerikane pas tërmetit në Japoni.
Japonia është një nga vendet më të prirura ndaj tërmeteve në botë, me një tërmet të regjistruar të paktën çdo pesë minuta.
Kompania e energjisë Kyushu Electric Power tha se nuk kishte raportime për probleme në termocentralet bërthamore Sendai dhe Genkai pas tërmetit. Kompania hekurudhore JR Kyushu tha se kishte pezulluar shërbimet e saj.
Source: Reuters

