Sulm i Rëndë – Qindra Dronë Ukrainas Godasin Moskën – Të Paktën Katër të Vdekur

Të paktën katër persona kanë vdekur në Rusi, pas sulmit më të madh me dronë të nisur nga Ukraina kundër kryeqytetit rus vitin e kaluar.

Ukraina kreu një sulm me qindra dronë në Rusi, ku u vranë të paktën katër persona, përfshirë tre në rajonin e Moskës.

Volodimir Zelenski e kishte premtuar këtë sulm, në hakmarrje për sulmin më të rëndë me dronë dhe raketa nga Rusia në Kiev të enjten.

Në postimin e tij në X, presidenti ukrainas e përshkroi sulmin si plotësisht të justifikuar. “Reagimi ynë ndaj zgjatjes së luftës nga Rusia, si dhe ndaj sulmeve të saj në qytetet dhe komunitetet tona është plotësisht i justifikuar”, shkroi Zelenski.

Zelenski për Rusinë: Shteti i tyre duhet t’i japë fund luftës

“Këtë herë, sulmet me raketa ukrainase me rreze të gjatë veprimi goditën rajonin e Moskës dhe ne u themi qartë rusëve: shteti i tyre duhet t’i japë fund luftës. Prodhuesit ukrainas të dronëve dhe raketave vazhdojnë punën e tyre. Jam mirënjohës ndaj Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës dhe të gjitha Forcave të Armatosura të Ukrainës për saktësinë e tyre. Distanca deri në kufirin shtetëror të Ukrainës është më shumë se 500km. Përqendrimi i mbrojtjes ajrore ruse në rajonin e Moskës është më i denduri. Por ne po e kapërcejmë atë. Lavdi Ukrainës!”, shtoi ai.

Ukraina realizoi sulmin më të gjerë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se Moska dhe rajoni përreth “pësuan sulmin më të gjerë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë” në shkurt 2022.

Ushtria ukrainase goditi një rafineri nafte dhe dy stacione pompimi nafte në rajonin e Moskës, njoftoi Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU).

“Sulmet ndaj objekteve të industrisë së mbrojtjes, infrastrukturës ushtarake dhe objekteve të transportit të naftës zvogëlojnë aftësinë e armikut për të vazhduar luftën kundër Ukrainës. Këto sulme tregojnë se edhe rajoni i fortifikuar rëndë i Moskës nuk është i sigurtë”, tha SBU në një mesazh në Telegram.

Sistemet e mbrojtjes rrëzuan 556 dronë gjatë natës në të gjithë vendin, sipas Ministrisë Ruse të Mbrojtjes, ndërsa 30 dronë të tjerë u kapën pas agimit, në një nga sulmet më të mëdha të Ukrainës deri më tani.

Në rajonin e kryeqytetit rus, “një grua u vra kur një mjet ajror pa pilot (UAV) goditi një banesë private”, tha guvernatori Andrei Vorobjov në një postim në Telegram, duke shtuar se sulmi herët në mëngjes mori jetën edhe të dy burrave.

Ai shtoi se katër persona u plagosën dhe se infrastruktura ishte në shënjestër.

Brenda kryeqytetit, autoritetet lokale thanë se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin kapur më shumë se 80 dronë gjatë natës, duke plagosur 12 persona.

Një nga sulmet plagosi punëtorët e ndërtimit në një kantier ndërtimi pranë një rafinerie nafte dhe gazi, tha kryetari i bashkisë Sergei Sobjanin.

“Prodhimi në rafineri nuk është ndërprerë. Tre ndërtesa banimi u dëmtuan”, shtoi ai.

Një punëtor indian u vra dhe tre të tjerë u plagosën në sulm, tha ambasada indiane në Moskë në një deklaratë të saj.

Zyrtarët e ambasadës vizituan vendin e sulmit, u takuan me të plagosurit në spital dhe po punojnë me autoritetet lokale për t’u ofruar ndihmën e nevojshme punëtorëve, thuhet në deklaratë.

Edhe pse rajoni i kryeqytetit është shpesh në shënjestër të dronëve, Moska, e cila është rreth 400 kilometra larg kufirit ukrainas, është një shënjestër më e rrallë.

Në rajonin e Belgorod, i cili kufizohet me Ukrainën, një burrë u vra gjatë natës në një sulm me dron ndaj një kamioni në zonën Shebekino, sipas autoriteteve rajonale.

Ministria e Jashtme ruse akuzoi Kievin për shënjestrimin e civilëve.

“Në sfondin e këngëve të Eurovision, regjimi i Kievit, i financuar nga BE, kreu një tjetër sulm masiv terrorist”, raportoi agjencia e lajmeve TASS, duke cituar zëdhënësen e ministrisë Maria Zakharova.

Të dyja palët në konflikt mohojnë se kanë shënjestruar qëllimisht civilët.

Ndërkohë, Forcat Ajrore Ukrainase thanë se kishin interceptuar 279 dronë rusë, nga një total prej 287 të lëshuar.


Source:
India in Russia (X)
NEXTA (X)
Volodymyr Zelenskyy (X)

Previous Story

9 Ligje Absurde që Ende Ekzistojnë në Legjislacionet e Disa Vendeve

Next Story

Bisedë Sekrete Midis Trump-it & Netaniahut Rreth Goditjes Përfundimtare Ndaj Iranit!

Latest from WAR