31.7 milionë euro para publike!
Një “investim strategjik” për paratë e taksapaguesve grekë që shkojnë në një kompani, në të cilën anëtar i Bordit Drejtues është bashkëshorti i Presidentes së Komisionit Europian Ursula Von Der Leyen.
Si arrin një kompani amerikane e bioteknologjisë, Orgenesis Inc., me një vlerë të rrënë të tregut të aksioneve, me borxhe të akumuluara dhe të ardhura minimale operative, të sigurojë 31.7 milionë euro fonde publike nga Greqia? Çfarë lidhje ka bashkëshorti i Ursula Von Der Leyen, me kryeministrin grek?
Hetimi i Voice News do të zbulojë probleme serioze të transparencës në lidhje me qeverinë greke dhe standardet e qeverisjes brenda Komisionit Europian. Koha, e kombinuar me të dhënat financiare të investimit, ngre pyetje kritike për qeverinë greke, menaxhimin e parave publike dhe kriteret e vlerësimit për “Investimet Strategjike”.
Sfondi dhe Koha e Miliardave
Gjithçka filloi me shpalljen zyrtare të projektit si një “Investim me Rëndësi Strategjik Kombëtar”. Siç zbulohet nga të dhënat zyrtare, Theracell Laboratories IKE, një sipërmarrje e përbashkët midis kompanisë greke Theracell dhe kompanisë amerikane Orgenesis Inc., mori dritën jeshile për një plan investimi prej 82.9 milionë eurosh.
Vula përfundimtare e subvencionit shtetëror u vendos me botimin e Gazetës Qeveritare në gusht 2022 (Numri B’ 04244/2022), nënshkruar nga Zëvendësministri i atëhershëm i Zhvillimit dhe Investimeve, Nikos Papathanasis, duke miratuar një subvencion të drejtpërdrejtë shtetëror prej 31,728,747 euro për zhvillimin e terapive autologe qelizore dhe gjeneve, përmes njësive laboratorike mobile (OMPUL) në Parkun e planifikuar të Bioteknologjisë në Korinth.
Edhe pse vendimi përfundimtar për miratim u botua në gusht 2022, marrëveshja ishte arritur shumë më herët, duke lënë shumë hije proçeduriale në këtë fond të dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Detaje mbi proçedurat:
-7 maj 2021: Theracell/Orgenesis i paraqet dosjen për “Investim Strategjik” Enterprise Greece.
-14 maj 2021 (vetëm 7 ditë më vonë): Qeveria Greke i paraqet zyrtarisht Komisionit Europian planin përfundimtar kombëtar “Greqia 2.0” për Fondin e Rimëkëmbjes.
-17 qershor 2021: Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian, viziton zyrtarisht Athinën. Në Agoranë e Lashtë, së bashku me Kryeministrin Grek, ata shpallin solemnisht miratimin e planit Grek për Fondin e Rimëkëmbjes, “Greqia 2.0”.
-Vjeshta 2021: Gjatë periudhës kur qeveria greke ishte në negociata jashtëzakonisht kritike me Komisionin Europian të Ursula von der Leyen mbi kushtet, momentet dhe rregullimet operative që do të “zhbllokonin” shpërndarjet e fondeve në miliarda, mekanizmat shtetërorë në Athinë po përshpejtonin proçedurat për Orgenesis, kompaninë pra, ku bashkëshorti i Presidentes së Komisionit mban, deri më sot, një pozicion të rëndësishëm në Bordin Drejtues.
-22 tetor 2021: Bordi i Drejtorëve të Enterprise Greece miraton dhe rekomandon pozitivisht planin e investimeve të Orgenesis/Theracell (ΑΣΣ 383).
-23 nëntor 2021: Komiteti Ndërministror për Investime Strategjike vulos miratimin fillestar. Dokumenti zyrtar mban firmat e Presidentit të tij, Spyridon Adonis Georgiadis (atëherë Ministër i Zhvillimit), Christos Staikouras (atëherë Ministër i Financave), Nikolaos Papathanasis (atëherë Zëvendësministër i Zhvillimit), Konstantinos Skrekas (atëherë Ministër i Mjedisit dhe Energjisë) dhe Georgios Gerapetritis (atëherë Ministër i Shtetit).
-10 dhjetor 2021: Botohet Gazeta fillestare e Qeverisë 5716/B’, duke përfshirë zyrtarisht projektin në Investime Strategjike.
Qasja fillestare e kompanisë Orgenesis pranë qeverisë greke dhe koha e formimit të paketës greke nga Brukseli, me maturimin e marrëveshjes së kompanisë nga qeveria në Athinë, mbivendosen dhe hedhin hije shumë të rënda dyshimi për një aferë të mirëfilltë midis presidentes së KE von der Leyen dhe kryeministrit Mitsotakis.
Von der Leyen i jepte fonde Greqisë, Mitsotakis i jepte fonde bashkëshortit të Von der Leyen.
Source: Voice News


