Sinem Dedetas është midis gjashtë figurave të opozitës të arrestuara në hetimin për korrupsion, thotë Ministria Turke e Drejtësisë. Ajo përballet me akuza për ryshfet dhe zhvatje.
Autoritetet turke kanë arrestuar kryetaren e bashkisë Uskudar, Sinem Dedetas, në një zgjerim të madh të goditjes disamujore ndaj figurave të opozitës që ka riformësuar peizazhin politik të vendit.
Partia Republikane Popullore (CHP), së cilës kryetarja e bashkisë i përket, pretendon se ndjekjet penale janë të motivuara politikisht dhe synojnë dobësimin e opozitës. Qeveria e Rexhep Tajip Erdogan i hedh poshtë akuzat, duke këmbëngulur që gjyqësori të veprojë në mënyrë të pavarur.
Kryetarja e bashkisë që përmbysi një fortesë historike të AKP-së
Sinem Dedetaş u zgjodh në zgjedhjet komunale të marsit 2024, kur CHP arriti një fitore historike ndaj partisë në pushtet AKP.
Zgjedhja e saj ishte veçanërisht simbolike, pasi ajo u bë kryetarja e parë femër e bashkisë së Üsküdarit, një nga lagjet më konservatore të Stambollit, ku ndodhet rezidenca e Rexhep Tajip Erdogan. Zona tradicionalisht konsiderohet si një fortesë e votuesve fetarë dhe konservatorë.
Pas fitores së saj, ajo u shfaq si një nga fytyrat e reja më të spikatura të opozitës turke.
Presioni mbi opozitën po përshkallëzohet
Arrestimet e reja vijnë në një kohë trazirash të forta politike në Turqi. Kriza arriti kulmin pas arrestimit, në vitin 2025, të kryetarit të bashkisë së Stambollit Ekrem Imamoglu, kundërshtarit më të rëndësishëm elektoral të Erdoganit, disa ditë pasi ai kishte njoftuar qëllimin e tij për të kandiduar për president të vendit.
Kjo shkaktoi reagime të forta në vend dhe trazira në tregje, me lirën nën presion të fortë.
Në të njëjtën kohë, opozita po përballet edhe me trazira të brendshme. Një vendim gjykate në maj çoi në largimin e udhëheqjes së CHP-së, ndërsa ish kryetari i partisë Özgür Özel, themeloi një parti të re politike javën e kaluar, duke bërë që deputetët të jepnin dorëheqjen, duke ndryshuar balancën e pushtetit në opozitë.
Hetimi ndaj Sinem Dedetaş po kryhet nga Prokuroria e Stambollit, e cila ka trajtuar shumicën e çështjeve kundër figurave të opozitës. Deri vonë, hetimi drejtohej nga Akin Gürlek, i cili u bë ministër i drejtësisë i Turqisë këtë vit.

Source: Reuters

