Ka zgjatur vetëm pak orë arratia e 29-vjeçarit nga Hasi, Sokrat Vata, i cili vrau me thikë turistin portugez, Miguel Mendes.
Mësohet se Vata është arrestuar gjatë një kontrolli policor në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një makine, e cila drejtohej nga nje femer.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kesaj të marte (18 gusht), ku i riu Miguel Mendes është gjetur pa shenja jete në shezlongjet e një plazhi, pranë një lokali.
Blutë e Sarandës dyshojnë se 20-vjeçari është përfshirë në një konflikt për një vajzë dhe më pas është goditur me thikë nga shtetasi Sokrat Vata, 29 vjeç, banues në Has.
Autori ishte i punësuar si roje plazhi në Ksamil.
Po kush është Sokrat Vata?
Sokrat Vata, 29 vjeç, nga Hasi, i dyshuar për vrasjen me thikë të Miguel Mendes në Ksamil, rezulton të ketë një të kaluar kriminale në Angli, ku është dënuar me pesë vite burg për vepra të lidhura me trafikun e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Vata u arrestua në Cambridge më 30 prill 2024, pas një ndjekjeje nga policia, teksa drejtonte një Toyota RAV4 të raportuar të vjedhur. Kur policia tentoi ta ndalonte, ai u largua me shpejtësi, duke hipur edhe në trotuar. Më pas braktisi automjetin dhe u largua në këmbë.
Sipas ITV News, gjatë arratisjes Vata hodhi një pako me kokainë në një shkurre, ndërsa policia e gjeti të fshehur në kopshtin e pasmë të një banese. Në momentin e arrestimit iu gjetën 560 paund dhe ai rezultoi pozitiv për drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Por kjo nuk ishte përplasja e tij e parë me policinë britanike. Më 13 prill 2024, në Kent, Vata kishte humbur kontrollin dhe ishte përmbysur me një automjet të klonuar, pasi nuk i ishte bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, në East Malling. Në automjet u gjetën disa qese me kokainë dhe targa automjetesh.
Vata u dënua me pesë vite burg pasi pranoi fajësinë për dy akuza për posedim me qëllim shpërndarjen e drogave të klasës A, dy akuza për drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Vrasësi kapet dhe gjendet në hetuesi
Sokrat Vata, 29-vjeçari i arrestuar për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, Luis Miguel Varela Mendes është marrë në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë. Megjithatë, ai ka zgjedhur të mos japë asnjë deklarim para hetuesve.
Gazetarja Xhensila Kodra raporton se janë marrë në pyetje edhe dy shtetasit turq, të cilët ndodheshin në automjetin me të cilin Vata po largohej.
Në prani të përkthyesve, ata kanë deklaruar se ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe se e paguanin 29-vjeçarin për shërbime si truproje dhe shoqërues personal.
Sipas dëshmive të tyre, ata e kishin marrë Vatën në automjet për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin krijuar me të dhe jo për ta ndihmuar në largimin pas krimit.
Ndërkohë, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe miqtë e viktimës, të cilët kanë dhënë versionin e tyre për mënyrën sesi nisi konflikti.
Sipas dëshmive paraprake, përplasja dyshohet se ka nisur pas ngacmimit të një vajze brenda ambienteve të lokalit. Situata është përshkallëzuar më pas, duke përfshirë disa persona që janë përleshur me njëri-tjetrin.
Në konflikt kanë ndërhyrë edhe punonjësit e sigurisë, mes tyre edhe Sokrat Vata.
Sipas dëshmive të miqve të viktimës, “20-vjeçari portugez kishte ndërhyrë për të ndarë personat e përfshirë në sherr”, por në kaosin e krijuar është goditur me thikë.
Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në lokalin “Principote” në Ksamil, ku 29-vjeçari Sokrat Vata goditi për vdekje me thikë turistin portugez Luis Miguel Varela Mendes.
Gazetarja theksoi se sherri gjatë festës ka nisur në fillim brenda lokalit, ndërsa vrasja është shënuar në pjesën e shezllongjeve. Në sherrin masiv është përfshirë edhe efektivi i policisë Moisid Matushaj, i cili ishte i punësuar në këtë biznes.
Gjatë përleshjes fizike, Vata ka pësuar lëndime dhe më pas ka dalë jashtë duke e qëlluar për vdekje me thikë të riun. Gazetarja tha se ka qenë një punonjës i lokalit që ka njoftuar policinë, ndërsa efektivi Moisid Matushaj, i cili ka qenë gjithashtu pjesë e sherrit, e ka ndihmuar që të largohet.
“Në debat e sipër ka ndërhyrë edhe një punonjës policie. Ka qenë i punësuar në mënyrë të dyfishtë. Ka ndërhyrë edhe ai. Është bërë sherr i madh. Në momentin që edhe Sokrat Vata ka pësuar dëmtime, se është plagosur, ka dalë dhe më pas te pjesa e shezllongjeve e ka goditur me thikë. Ai është larguar nga vendi i ngjarjes me ndihmën e një kolegu të tij. E ka shoqëruar deri diku, por nuk ka qenë i qartë se çfarë ka ndodhur, por i është thënë nga ana e Sokrat Vatës që duhet të shkojmë në spital se kam plagë. Ai e ka lënë në mes të rrugës dhe është ky punonjës i lokalit që ka njoftuar policinë. Ndërsa Moisid Matushaj ka qenë pjesë e sherrit, por edhe një ngjarje tjetër të ndodhur po në Sarandë dhe më pas ka ndihmuar Sokrat Vatën për tu larguar”, tha gazetarja.
Gazetarja Lala theksoi se dyshohet që sherri ka nisur për shkak të një vajze shqiptare, e cila është identifikuar përmes kamerave të sigurisë, e cila pritet të merret në pyetje.
“Flitet për një vajzë shqiptare e cila do të merret dëshmia për shkak se është identifikuar përmes kamerave, portugezi ka qenë në lokal me shtetas francezë”, tha ajo.
Paralajmërohen arrestime të tjera
Gazetarja paralajmëroi gjithashtu se priten edhe arrestime të tjera.
“Priten arrestime të reja. Drejtoria e Policisë së Vlorës dhe prokuroria janë duke firmosur të tjerë urdhër-arreste. Bekim Bulica, pronari, ka problematika edhe ai dhe ka qenë i skeduar në aktivitet kriminal”, tha Lala.
Source: Panorama.com.al

