Mijëra udhëtarë të bllokuar.
Vonesa të gjata janë regjistruar në aeroportet europiane këtë vit, ndërsa zbatimi i sistemit të ri elektronik të kontrollit kufitar të BE-së duket se po teston forcën e infrastrukturës, veçanërisht gjatë orëve të pikut të verës.
Të dhënat e disponueshme tregojnë se në disa qendra kryesore ajrore, kohët maksimale të pritjes kanë arritur edhe në dy orë, duke treguar një rritje të konsiderueshme krahasuar me verën e kaluar.
Në Frankfurt, për shembull, pritja më e gjatë e regjistruar në korrik arriti në 120 minuta, krahasuar me rreth një orë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Mynih, koha maksimale e pritjes u rrit nga 31 në 60 minuta, ndërsa në Amsterdam radhët arritën gjithashtu dy orë, nga 80 minuta një vit më parë.
Të dhënat vijnë nga kompania e analizave të udhëtimit Qsensor dhe u prezantuan nga Financial Times.
Çfarë po ndryshon me EES?
Sistemi i Hyrje/Daljeve, i njohur si EES, u zbatua në prill dhe është proçesi i ri elektronik për regjistrimin e udhëtarëve që hyjnë dhe dalin nga BE.
Shtetasve jo BE, siç janë britanikët, u kërkohet të regjistrojnë të dhënat e tyre personale, foton dhe gjurmët e gishtërinjve që në hyrjen e tyre të parë. Qëllimi është të automatizohet monitorimi i hyrjeve dhe daljeve nga zona europiane dhe të identifikohen në mënyrë më efektive rastet e tejkalimit të kohëzgjatjes së lejuar të qëndrimit.
Në të njëjtën kohë, sistemi synon të forcojë kontrollet e sigurisë dhe të identifikojë personat që mund të kërkohen për aktivitete kriminale.
Megjithatë, tranzicioni nuk është pa probleme.
Proçedurat e reja po zgjasin më shumë për t’u shërbyer udhëtarëve, duke krijuar radhë në pikat e regjistrimit manual dhe të kontrollit.
Një zëdhënës i Aeroportit të Frankfurtit pranoi se proçesi i ri ka çuar në vonesa në nisje dhe vështirësi shtesë operative.
Qsensor, i cili përpiloi të dhënat e paraqitura në Financial Times, tha se rritjet më të mëdha po ndodhnin gjatë orëve të pikut.
Sipas themeluesit të kompanisë, Oliver Maxfield, rritja e kohës së pritjes po shkakton shqetësim midis udhëtarëve, veçanërisht atyre nga Mbretëria e Bashkuar dhe Amerika e Veriut.
Linjat ajrore po kërkojnë zgjidhje
Vonesat kanë shkaktuar gjithashtu reagim të ashpër nga industria e aviacionit.
Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O’Leary, e ka quajtur problematik projektimin e sistemit, duke argumentuar se pjesa më e madhe e proçesit mund të bëhet elektronikisht përpara se pasagjerët të mbërrijnë në kufi.
Shqetësime të ngjashme janë ngritur nga linja të tjera ajrore të mëdha. Drejtori ekzekutiv i British Airways, Sean Doyle, ka folur për “pika presioni” në aeroporte të caktuara, ndërsa drejtori i easyJet, Kenton Jarvis, u ka kërkuar aeroporteve të përdorin fleksibilitetin që lejon sistemi për të shmangur radhët e gjata.
Përjashtime të përkohshme për të lehtësuar radhët
Përballë presionit, disa aeroporte kanë bërë rregullime të përkohshme në proçes. Në disa raste, për shembull, marrja e gjurmëve të gishtërinjve po anashkalohet gjatë orëve të pikut.
Këto përjashtime do të skadojnë në shtator, por tetë shtete anëtare të BE-së, përfshirë Zvicrën, kanë kërkuar që aplikimi i tyre të zgjatet.
Komisioni Europian është në diskutime me vendet që përjetojnë problemet më të mëdha, për të parë sesi sistemi mund të vazhdojë të funksionojë pas verës.
Nga ana e tij, Komisioni thotë se koha mesatare për të përfunduar një regjistrim EES është rreth 70 sekonda dhe se, në shumicën e rasteve, procesi nuk ka një ndikim të rëndësishëm tek udhëtarët.
Pavarësisht vështirësive, autoritetet europiane këmbëngulin se sistemi ofron përfitime të konsiderueshme për sigurinë e kufijve të jashtëm të Unionit.
Source: Financial Times


