UFO: Dosjet Sekrete Deklasifikohen – Të Dhëna të Reja Do të Publikohen Sot

Shtëpia e Bardhë po publikon dosjet e shumëpritura të UFO-ve, me pamje nga pilotët, video të mundshme dhe zbulime të reja që do të rihapin debatin mbi fenomenet ajrore të pashpjegueshme.

Rasti i UFO-ve po rikthehet në debatin publik amerikan, ndërsa Shtëpia e Bardhë përgatitet të nisë një raund të ri publikimesh mbi fenomenet ajrore të pashpjegueshme, dëshmitë ushtarake dhe arkivat që kanë qenë prej kohësh në qendër të interesit politik dhe shoqëror.

Administrata e Donald Trump pritej të fillojë fazën e parë të publikimit të dosjeve të shumëpritura të premten, disa muaj pasi presidenti amerikan urdhëroi zyrtarët e lartë të përparonin me procedurat për publikimin e informacionit përkatës.

Lëvizja me transparencë, interes politik dhe shoqëror!

Zhvillimi paraqitet si një lëvizje e rëndësishme transparence, por në të njëjtën kohë pritet të nxisë përsëri debatin nëse autoritetet dinë më shumë sesa kanë pranuar deri më sot. UFO-t, ose siç quhen shpesh zyrtarisht tani, fenomene ajrore të paidentifikuara, kanë qenë një shqetësim i madh vitet e fundit për Kongresin, Pentagonin, NASA-n, ish personelin ushtarak, pilotët, studiuesit dhe miliona qytetarë që ndjekin çdo zbulim të ri me interes.

Takimi në Krahun Perëndimor

Axhenda për zbulimin e parë u njoftua pas një takimi të mbajtur në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë të enjten. Në takim mori pjesë përfaqësuesi republikan Tim Burchett nga Tennessee, një anëtar i grupit të punës të Komitetit Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve që merret me deklasifikimin e sekreteve federale. Ai tha në një bisedë me gazetarin e pavarur Jeremy Corbel, se proçesi do të fillojë “të premten” dhe se materiali fillestar do të përfshijë prova nga pilotët, si dhe ndoshta një video. Ishin pikërisht edhe disa video mbi detin Egje, që i paraqitëm dje në mast-info.com.

Çfarë mund të përfshijë materiali pilot?

Referenca për “materialin pilot” besohet se i referohet incidenteve në të cilat pilotët ushtarakë amerikanë hasën objekte ose fenomene të pashpjegueshme gjatë detyrës aktive. Dëshmi të tilla kanë fituar peshë të veçantë vitet e fundit, pasi disa ish zyrtarë dhe aktualë, kanë përshkruar pamje që, sipas tyre, nuk mund të shpjegohen lehtësisht nga të dhënat e njohura teknologjike ose fizike.

46 videot dhe publikimi gradual

Megjithatë, ky publikim i parë nuk do të përfshijë 46 videot e UFO-ve që Kongresi ka kërkuar vazhdimisht të publikohen nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, i cili në artikull quhet Departamenti i Luftës. Në vend të një publikimi masiv të të gjitha të dhënave të disponueshme, siç ka ndodhur në raste të tjera të dosjeve të profilit të lartë, siç janë ato mbi John F. Kennedy dhe Jeffrey Epstein, zbulimet pritet të bëhen gradualisht, në “këste “doza” javore.

Reagimet në Kongres

Burchett pranoi se ende ka rezistencë brenda Kongresit nga njerëz që nuk duan që dosjet të publikohen plotësisht. Megjithatë, ai u duk i bindur se Trump do ta mbajë premtimin e tij dhe se procesi do të ecë përpara, edhe nëse jo të gjitha të dhënat publikohen menjëherë. Siç theksoi ai, transparenca nuk do i sjellë të gjitha menjëherë, por do të kërkojë kohë. Kjo do të thotë që informacioni i parë ka të ngjarë të funksionojë më shumë si një hyrje në një proces më të gjerë, sesa si një përgjigje gjithëpërfshirëse për të gjitha pyetjet që janë ngritur.

NASA, Pentagoni dhe jeta jashtëtokësore

Çështja lidhet gjithashtu me interesin më të gjerë për mundësinë e ekzistencës së jetës jashtëtokësore. NASA dhe Pentagoni kanë pranuar se po shqyrtojnë seriozisht raportet e fenomeneve ajrore të panjohura, por nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje me aktivitetin jashtëtokësor. Një qëndrim të ngjashëm kishte mbajtur edhe Barack Obama, i cili, në një intervistë me Stephen Colbert, kishte deklaruar se e konsideronte të mundur ekzistencën e jetës përtej Tokës, por e kishte bërë të qartë se nuk ka prova që qeveria amerikane ka pasur kontakt me alienët ose që po fsheh anije kozmike.

Komenti humoristik i Obamës

Ish presidenti amerikan madje komentoi me humor se, në epokën e mediave sociale, një sekret kaq i madh vështirë se do të mbetej i fshehur, duke thënë se nëse qeveria do të kishte një alien ose UFO, dikush do të kishte bërë një selfie dhe do t’ia kishte dërguar të dashurës së tij. Ky koment kishte shkaktuar të qeshura, por në të njëjtën kohë nxori në pah edhe skepticizmin që ekziston ndaj teorive më ekstreme.

Një mister që mbetet i hapur

Pavarësisht rezervave dhe mohimeve zyrtare, teoritë rreth UFO-ve vazhdojnë të ushtrojnë magjepsje, përveç kërshërisë. Zbulimet e reja nga administrata Trump pritet të ringjallin interesin: a do të japin provat përgjigje, apo do të ngrehin edhe më shumë pyetje rreth njërit prej mistereve më të zgjatura në kohë, të epokës moderne?


Sources:
New York Post
Nexta

Previous Story

Erdogani Ka Dalë nga "Shinat", Paraqet Një Projektligj për Kufijtë e "Atdheut Blu"!

Next Story

9 Maj - Megamartiri Shenjti Kristofor - Jeta

Latest from Politikë