Një libër i ri nga vëllai i Princeshës Dajana ka shkaktuar trazirë në Pallatin Britanik, në të cilin ai pretendon, ndër të tjera, se Princi i atëhershëm Charles “u soll sikur kishte fituar llotarinë” kur mësoi për vdekjen e ish gruas së tij.
Në një fragment të botuar në gazetën britanike Daily Mail, Konti Charles Spencer pretendon se Charles dukej “i emocionuar” kur i foli në telefon, menjëherë pas vdekjes së Princeshës Diana, në Paris, më 31 gusht 1997.
“Telefoni im po binte pa pushim. Princi Charles më mori ndërsa po ngjitesha shkallëve. Ndryshe nga të tjerët që më kishin telefonuar, të cilët ishin të mbingarkuar dhe mezi shprehnin ngushëllimet e tyre dhe ofronin ndihmë, ai dukej shumë i gëzuar – sikur të kishte fituar llotarinë, mbaj mend të kem menduar këto fjalë në atë kohë.”
Dhe vazhdoi: “Ai më tha se kishte njoftuar William dhe Harry për vdekjen e nënës së tyre atë mëngjes, ndërsa ishin në dhomat e tyre në Balmoral. Çdo gjë që tha tingëllonte çuditërisht e qetë, duke pasur parasysh madhësinë e tragjedisë”.
Duke shpjeguar pse beson se princi i atëhershëm reagoi kaq qetë, ai tha: “Duke u kthyer në kohë tani, dyshoj se reagimi i parë i princit duhet të ketë qenë mendimi sesi kjo do ta lironte atë për t’u martuar me gruan që donte, më shumë se të vajtonte humbjen e asaj që nuk e donte. Mund të jetë e vështirë të ndiesh keqardhje për një ish bashkëshort, pas një divorci të hidhur”.
Ndërkohë, Konti Charles Spencer pretendoi se Mbreti Charles i tha se motra e tij do të harrohej shpejt pas vdekjes së saj.
Në një veprim të rrallë, Pallati i Buckingham iu përgjigj pretendimeve të vëllait të Princeshës Diana, duke thënë: “Hidhërimi errëson arsyen. Ndërsa normalisht nuk komentojmë për librat, Madhëria e Tij është i vetëdijshëm se dhimbja e humbjes së vëllezërve dhe motrave mund të turbullojë arsyen, të ndikojë në gjykim dhe të ngjyrosë kujtimet në mënyra që të tjerët nuk i njohin, madje edhe shumë vite pas një humbjeje të tillë”, shkroi pallati.
Fakti që Princi Harry ka të ngjarë të ketë qenë në dijeni të përmbajtjes së librit të xhaxhait të tij dhe se zbulimet nuk e kanë habitur, ka shkaktuar gjithashtu një trazirë tjetër. Vetë Duka i Sussex nuk ka komentuar publikisht për këtë çështje.
Princesha Dajana vdiq më 31 gusht 1997, në një aksident me makinë në Paris, së bashku me partnerin e saj Dodi Fayed dhe shoferin e saj Henri Paul. Truproja e tyre, Trevor Rhys-Jones, u plagos rëndë, por i mbijetoi aksidentit.
Source: Daily Mail


