Gjeneva, qyteti i diplomacisë zvicerane dhe ndërkombëtare, duket këto ditë si një kryeqytet në prag lufte.
Shkaku: samiti G7, i cili po mbahet nga 15 deri më 17 qershor në fshatin francez Évian-les-Bains, pak kilometra përtej kufirit.
Megjithëse takimi zhvillohet në tokë franceze, pasojat po ndihen me forcë kryesisht në Gjenevë të Zvicrës.
Dhjetëra dyqane në zemër të qytetit kanë mbuluar vitrinat me dërrasa dhe kompesata druri, teksa raportohet se vetëm një kompani marangozërie ka instaluar mbi 2,000 metër katrorë panele druri për të mbrojtur ambientet e bizneseve.
Rruga e famshme Rue du Rhône, me vitrinat e saj luksoze ku kanë filialin qëndror qindra brande si “Louis Vuitton”, “Cartier” dhe “Rolex”, tani ngjan si një kantier ndërtimi.
Institucione si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Bankat Private kanë mbyllur zyrat e tyre dhe u kanë kërkuar që punonjësit të punojnë nga shtëpia.
Edhe Universiteti i Gjenevës ka shpallur moratorium për të gjitha ngjarjet publike nga 12 deri më 18 qershor, duke shtyrë ose anuluar mbledhje, konferenca dhe aktivitete të tjera shkencore.
Ngjarjet e vitit 2003 në Gjenevë
Frika vjen drejtpërdrejt nga kujtesa kolektive e vitit 2003, kur në një natë, anëtarë të Black Bloc-ut (organizatë e ekstremit të majtë, e njohur për dhunë në rrugët e Parisit) marshuan në Rues-Basses me koktej molotovi, thyerën vitrinat e dyqaneve të pambuluara dhe u vunë flakën disa objekteve; të nesërmen, demonstrata kryesore u bë e dhunshme në urën Coulouvrenière, ku u dogjën barrikadat e policisë dhe me dhjetëra makina dhe biznese. Grupe protestuesish plaçkitën dhe u përleshen me policinë në Gjenevë dhe Lozanë, duke shkaktuar dëme miliona dollarësh, plagë që qyteti i ka mbajtur gjallë në kujtesë deri sot.
Banorë dhe tregtarë dëshirojnë me çdo kusht të shmangin një përsëritje të protestave të dhunshme që shkatërruan vitrina gjatë samitit G8 të atij viti. Shenjat paralajmëruese janë të qarta: rreth 50,000 protestues priten të marshojnë nëpër Gjenevë këtë fundjavë, ndërsa 27 nga 35 pikat kufitare ndërmjet Francës dhe Zvicrës janë mbyllur. Zvicra ka mobilizuar 4,000 ushtarë brenda territorit të saj, ndërsa Franca ka vendosur mbi 13,000 oficerë policie dhe xhandarmërie në zonën e Samitit.
Impakti në jetën e përditshme është i ndjeshëm. Supermarketet kanë shënuar rritje të konsiderueshme të shitjeve, pasi qytetarët po blejnë mallra në sasi të mëdha, duke dashur të shmangin daljet gjatë kësaj periudhe. Autoritetet kantonale rekomandojnë punën nga shtëpia dhe kanë paralajmëruar se mbyllja e pikave kufitare po prish jetën e përditshme të banorëve.
Shoferët e taksive raportojnë humbje të mëdha: njëri prej tyre tha haptas se do të qëndrojë në shtëpi, pasi parashikon tre deri katër ditë pa asnjë të ardhur.
Edhe kalendari kishtar nuk ka shpëtuar nga ngjarjet lidhur me Samitit, që pritet të zhvillohen. Disa liturgji dhe ngjarje komunitare janë anuluar ose shtyrë, pasi organizatorët nuk mund të garantojnë aksesin e besimtarëve në një qytet ku lëvizja është kaq e kufizuar.
Ironia nuk i shpëton askujt: Samiti mbahet në Francë, por është Gjeneva ajo që po paguan çmimin.









Mast-info.com


