Politico dhe Bild zbulojnë rrjetin e armatimeve Gjermani-Turqi!
Dokumentet e sekuestruara, kompanitë fasadë dhe truku i Lübeckut që shkelën sanksionet europiane.
Rruga e teknologjisë së lartë drejt makinerisë ruse të luftës nuk u ndërpre kurrë, ajo thjesht ndryshoi etiketat, pasaportat dhe kodet doganore.
Hetimi nga Politico dhe Bild
Një hetim i gjerë nga Politico dhe BILD, bazuar në dosjet sekrete të hetimit gjyqësor gjerman, hedh dritë mbi rrjetin e ndërlikuar që arriti ta shndërronte një kompani tregtare gjermane të padyshuar, në dhuruesin kryesor të “gjakut” për Moskën.
Çështja nuk është vetëm një shkelje e Ligjit Gjerman të tregtisë së jashtme, është anatomia e dobësisë sistemike të sanksioneve perëndimore kundër një rrjeti të errët dhe të organizuar mirë, që përdori Europën si fasadë dhe Turqinë si lavanderi tranziti. Gjithmonë dhe kudo, për punët e pista zgjidhet Turqia.
Rënia e “arkitektit” – Arrestimi në Lübeck
Perdja e aktiviteteve të rrjetit ra herët këtë mëngjes, jashtë hotelit luksoz Radisson Blu Senator në qytetin e Lübeck-ut. Autoritetet gjermane realizuan arrestimin e 39-vjeçarit Nikita S., burrit që dyshohet se orkestroi zinxhirin kompleks të furnizimit. Së bashku me Nikita S., figura të tjera kyçe janë në paraburgim, si Evgenios R., Daniel A. dhe Boris M., të cilët, prokurorët i konsiderojnë “trurin” e të gjithë operacionit.
Bastisja policore nxori një thesar dokumentesh, që zbulojnë sesi teknologjia me përdorim të dyfishtë, komponentët elektronikë, sensorët, osciloskopët, përfunduan direkt në qendrat kërkimore të programit bërthamor rus (VNIIA) dhe në objektet e industrisë së mbrojtjes.
Mashtrimi “Global Trade” dhe Kali (rus) i Trojës
Thelbi i mashtrimit bazohej në përfshirjen e plotë të interesave ruse në një entitet europian në dukje legjitim. Protagonisti i çështjes ishte Global Trade, një kompani në Lübeck. Pas pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore, kompania nuk ndaloi tregtinë, por e “zhyti” ato në terr, për të qenë e padukshme.
Në krye të piramidës ishte Kolovrat-i rus (i njohur edhe si Siderius), një kompani që ishte tashmë nën sanksionet e SHBA-së. Kolovrat nuk veproi si klient, por si pronar në hije, siç zbulon dosja e çështjes, punonjësit nga Moska u paraqitën si punonjës gjermanë, menaxhuan e-mail-e të korporatave, kërkuan oferta dhe mbyllën marrëveshje në të gjithë Europën mes pseudonimesh.
Nikita S., si CEO që nga marsi i vitit 2022, ishte shiriti transportues i gjallë për transferimin e porosive.
“Bëjeni të duket e pastër. Asnjë përmendje e Rusisë askund. Hiqni të gjitha dokumentet nga kutitë para se të bëni dërgesat. Na duhet një marrës tjetër, Turqia funksionon.” (Fragment nga bisedat e përgjuara.)
“Lavanderia” turke dhe roli i BND-së
Anashkalimi i sanksioneve kërkonte një stacion të ndërmjetëm të besueshëm dhe gjeografia, po ashtu edhe marrëdhëniet, i orientonin nga Turqia. Rrjeti përdorte kompani fasade, të tilla si MR Global turke, si marrës zyrtarë të produkteve europiane. Në realitet, MR Global funksiononte ekskluzivisht si një qendër tranziti.
Dosjet zbulojnë se hendeku kohor midis eksportit nga BE-ja dhe importit përfundimtar në Rusi nuk i kalonte pesë deri në dhjetë ditë.
Rrjeti u çmontua kur shërbimi i inteligjencës gjermane (BND) arriti të depërtonte në dosjet e brendshme të kompanisë ruse Kolovrat. Agjentët ishin në gjendje të identifikonin porositë europiane me të dhënat ruse të importit, duke e “lidhur” çështjen përmes të dhënave doganore dhe flukseve të errëta të parave.
Çështja Lübeck konfirmon në mënyrën më brutale dhe më bindëse, se sanksionet në letër nuk janë një mur mbrojtës në vetvete, janë thjeshta pallavra. Për sa kohë që ka kanale të hapura tranziti dhe kompani fantazmë të gatshme “të pastrojnë” ngarkesat, industria ruse e armëve do të vazhdojë të ushqehet me tregun europian, që u zotua dhe zotohet çdo ditë, që ta izolojë.
Në rastin në fjalë, punën e pistë me fitime marramendëse e bëjnë gjermanët dhe turqit.
Source:
Politico
Bild

